Qeveria Rama përmes një VKM-je ndalon importin e makinave të tjera dhe parashikon që në Shqipëri të importohen vetëm makinat e prodhura 10 vitet e fundit. Sot, kryeministri përmes një videomesazhi në facebook u thotë qytetarëve se masa është marrë për të siguruar ajër më të pastër e shëndet më të mirë.
Por të paktë janë ata qytetarë që e mirëkuptojnë vendimin e qeverisë dhe aq më pak të besojnë se këtë po e bën për të mbrojtur mjedisin. Ndër komentet në facebook, spikasin ata që i kujtojnë z. Rama se për ajër më të pastër si fillim duhet parë cilësia e karburantit. Po kështu rrugët e amortizuara. Të tjerë qytetarë i thonë se në qytetet e Europës (ku ata jetojnë) nuk ka vetëm automjete Euro 5 siç po ndodh në Shqipëri.
Qytetarët janë dyshues për këtë vendim të qeverisë dhe mendojnë se Rama po favorizon kompanitë koncesionare që importojnë makina të reja, të cilat xhepi i shqiptarëve nuk i përballon.
Komentet në facebook-un e Kryeministrit janë të shumta, por kemi përzgjedhur ato që përmbajnë më shumë argumente.