Eshtë e lyer nga jashtë, por nga brenda po bie tavani! Bëhet fjalë për një prej shkollave më të rëndësishme të Beratit, shkolla e mesme “Babë Dude Karbunara”. Drejtuesit e shkollës thonë se kanë kërkuar ndërhyrje për riparim. Ata i janë drejtuar bashkisë, por kanë marrë përgjigje negative për mungesë fondesh.
Llazar Palla, drejtori i gjimnazit shprehet “Kemi kontaktuar edhe me pushtetin vendor, Bashkinë e Beratit dhe na është premtuar që vitin që vjen të kemi një rehabilitim të plotë të kësaj shkolle. Mirëpo unë mendoj se taraca nuk mund të presi më, është emergjencë, se si do të zgjidhet nuk e di.”
Në këtë gjimnaz studiojnë 800 nxënës. Por këtë vit të ri arsimor do ti shtohen dhe 400 nxënësit e shkollës 9-vjeçare 1-Maji, të cilët do e zhvillojnë mësimin pasdite. Kryetari i Bashkisë nuk thotë se është në pritje të miratimit të projektit, por gjasat janë që mësimi për këtë vit të zhvillohet në këto ambjente.
Petrit Sinaj, kryetar i bashkisë tha se “ne si bashki kemi aplikuar drejt thirrjeve që ka hapur qeveria shqiptare, jo vetëm për shkollën Babë Dudë Karbunara por edhe për shkollën 28 nëntori janë dy shkolla që janë në qendër të qytetit. Janë dy shkollat më të mira të Bshkisë së Beratit. Babë Dudë Karbunara ka dalë për vite me radhë në 10 gjimnazet më të mira të Shqipërisë. Projekti është me një vlerë prej 120 milionë lekë të reja dhe akoma nuk ka gjetur rrugën e financimit nga qeveria shqiptare.”
Petrit Sinaj është kryetar bashkie i opozitës (LSI) dhe si gjithe te tjeret nuk e ka gjetur dot rrugen per te marre fonde nga qeveria e majtë. Me heret edhe kryetarja e Bashkise se Shkodres (PD) eshte ankuar per diskrimimin e bashkive te djathta nga ana e qeverise.