Tetë pjesëtarë të familjes Zykaj në fshatin Resulaj të Selenicës së Vlorës mbeten të vrarë nga dora e kushëririt të tyre. Mes viktimave janë dy fëmijë. 24 vjecari Rdivan Zykaj ka qëlluar mbi viktimat me të cilët kishte lidhje gjaku për motive banale. Përmes një komunikate për mediat, policia e Vlorës, informon si më poshtë:
“Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbasditen e datës 10.08.2018, ku u vranë me armë zjarri 8 pjestarë të dy familjeve ju informojme se:
Grupi hetimor me ekspertë të Policisë Kriminale të DVP Vlorë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë hetimet lidhur me motivin e plotë të krimit të kryer prej 24 vjeçarit në fshatin Resulaj.
Që prej momentit që u shoqërua në ambjentet e DVP Vlorë, autori po pyetet në disa seanca nga strukturat policore përkatëse mbi rrethanat e krimit.
Nga hetimet e deri tanishme dhe nga deklarimet paraprake të shprehura prej tij, ka rezultuar se e ka kryer aktin kriminal për motive të dobëta/banale, (autori është shprehur se pjestarë nga dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje).
Lidhur mbi këtë por edhe në pista të tjera Policia po vijon hetime të imtësishme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Ridvan Zykaj u kap nga forcat e policisë mëngjesin e së shtunës, pas 12 orëve kërkimesh. Ai u gjet i fshehur në rrethinat pranë fshatit Resulaj të Selenicës, jo shumë larg banesës së tij.