Kreu i policisë kibernetike të Ukrainës, Serhiy Demedyuk tha se hakerët rusë po piraterojnë sistemet kompjuterike të kompanive të Ukrainës për t’i hapur rrugë “një sulmi të koordinuar, të shkallës së gjerë”.
Demedyuk i tha agjencisë Reuters se bankat dhe kompanitë energjetike janë në mesin e shënjestrave të hakerëve të dyshuar dhe tha se policia e Ukrainës është duke punuar me autoritetet e huaja për t’i identifikuar fajtorët.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë pretendimet e Demedyukut, duke i cilësuar si “të pavërteta”.
Autoritetet e sundimit të ligjit dhe firmat private të sigurisë në gjithë botën janë duke i monitoruar me kujdes kërcënimet në Ukrainë, pasi ky vend ka qenë origjinë e disa prej sulmeve më serioze kibernetike që kanë ndodhur në botë.
Në Qershor të vitit 2017, një virus i quajtur NotPetya ka goditur departamentet qeveritare dhe kompanitë shtetërore në Ukrainë, para se të përhapej në rrjetet e korporatave në gjithë globin, duke shkaktuar humbje prej miliarda dollarësh.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, së bashku me Ukrainën, kanë fajësuar Rusinë për virusin NotPetya./REL