Tashmë në rrugët e Tiranës po shihen çdo ditë e me shumë taksitë me logon “Green Taxi” ose ndryshe makinat që punojnë me energji. Por kush është pronari i këtyre taksive të reja që ka ngjallur jo pak pakënaqësi tek ata që janë të vjetër në treg?
Vendimi për taksitë elektrike është marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dy muaj më parë, i cili diferencon taksitë elektrike nga pjesa tjetër e flotës së taksive të kryeqytetit. Anëtarët e PD në Këshillin Bashkiak thanë se vendimi është marrë në mungesë të plotë transparence dhe favorizon mikun e Kryetarit të Bashkisë. Në vendim thuhet se këto taksi do të mbajnë logo të bardhë ndryshe nga të tjerat që janë ngjyrë e verdhë.
“Bashkia e Tiranës nëpërmjet ndryshimit të ngjyrës së taksive 4+1 elektrike, kërkon të promovojë dhe nxisë rritjen e numrit të taksive elektrike si dhe të ndërgjegjësojë qytetarët të përzgjedhin për udhëtim mjete, të cilat nuk ndotin ajrin” thuhet në Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Kompania Green Taxi ka aksioner të vetëm, Endrit Mashën, shkruan Syri.net. Ai është kreu i komunikimeve dixhitale, në departamentin e Komunikimeve në Kryeministri. Green Taxi është një kompani e re e krijuar në prill të vitit të kaluar. Ajo e përshkruan veten si kompania e parë në tregun shqiptar me një flotë makinash elektrike.
Ngritja e Green Taxi u promovua nga vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.
” Më vjen mirë që sot kemi kompani taksish, të cilat janë 100% elektrike. Nëse do udhëtoni me taksi përdorni një nga taksitë elektrike, kanë të njëjtin çmim, por ama i kemi shpëtuar natyrës dhe fëmijëve të këtij qyteti një ndotje të jashtëzakonshme”, eshte shprehur Veliaj disa muaj më parë.
Tregu i taksive në Tiranë është i mbipopulluar. Vendimi për liçencimin e një kompanie të re është kundërshtuar nga Shoqata e Taksive. Sipas tyre, kalimi tek taksitë elektrike mund të bëhej gradualisht nga kompanitë që kanë liçencat ekzistuese dhe jo përmes dhënies së një liçence të re. Por këto kundërshtime nuk janë marrë parasysh.