Një princ saudit është zbuluar se është blerësi i tablosë “Salvator Mundi” të Leonardo da Vinçit, për të cilën ai shpenzoi $450.3 milionë. Nëse ai do t’i jepte këto para për të varfrit, siç ka këshilluar tema e pikturës për një burrë tjetër të pasur, ai do të mund t’i rikthente shikimin nëntë milionë njerëzve, ose do t’i mundësonte 13 milionë familjeve të rrisnin 50% më shumë ushqime.
Muajin e kaluar, “Salvator Mundi,” portretizimi i Jezusit Shpëtimtar të Botës nga Leonardo da Vinçi, u shit në ankand për 400 milionë dollarë, dy herë më shumë se sa rekordi i mëparshëm i arritur në një ankand për një vepër arti. Blerësi u detyrua gjithashtu të paguajë 50.3 milionë dollarë të tjera në komisione dhe tarifa.
Piktura është rifreskuar rëndë dhe disa ekspertë madje kanë vënë në dyshim edhe nëse ajo është vërtetë vepër e Leonardos. Jason Farago, një kritik arti i New York Times, e përshkroi atë si “e mirë por një pikturë jo veçanërisht e dalluar fetare nga kapërcyelli i shekullit të gjashtëmbëdhjetë në Lombardi, e cila ka kaluar një seri restaurimesh.”
Blerësi – për të cilin shumë besojnë se është princi i kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, që veproi përmes një kushëriri të largët – ka paguar një çmim shumë të lartë për pikturën e një njeriu i cili thuhet se ka këshilluar një person tjetër të pasur: “Shko, shit pasurinë tënde dhe jipja të varfërve, dhe pas kësaj do të fitosh një thesar në qiell.” Kjo e bën të rëndësishme të shtrojmë pyetjen: çfarë mund të bëjë për të varfrit dikush me 450 milionë dollarë mënjanë?
Jetët që ti mund të shpëtosh, një organizatë jofitimprurëse që unë themelova pak vite më parë, ka një Llogaritës të Impaktit të Bamirësisë i cili të mundëson të shohësh se çfarë mund të arrihet me donacione për organizata që kanë një histori të provuar ndihmash efikase për njerëzit më të varfër të botës. Llogaritësi tregon se, për 450 milionë dollarë, ju mund të riktheni shikimin për nëntë milionë njerëz me verbëri të shërueshme, ose të sigurojë për 13 milionë familje mjete dhe teknika për të rritur 50% më shumë ushqim.
Nëse dëshiron të ndjekësh urdhërin e Jezusit në një mënyrë më fjalë për fjalë, ti mundet thjeshtë të japësh para për familjet më të varfra të botës që ata t’i përdorin si të duan. Një organizatë e quajtur Jep Drejtpërsëdrejti do të identifikojë familjet më në nevojë dhe do të transferojë paratë e tua për ta, duke mbajtur vetëm 10 për qind për kostot e veta administrative.
Në rast se mendon se njerëzit që marrin para të tilla do t’i shpenzojnë ato në alkool, bixhoz apo prostitucion, një vlerësim i pavarur ka treguar se në fakt ata nuk e bëjnë. Ndihmat në para të Jep Drejtpërsëdrejti rrisin sigurinë ushqimore, shëndetin mendor dhe posedimet e përfituesve. Për 450 milionë, ti mund të blesh gjithashtu 180 milionë rrjeta krevatesh, të mjaftueshme për të mbrojtur 271 milionë njerëz nga malaria. (Për të gjitha këto ndërhyrje, numrat realë ka gjasa do të jenë pak më të ulëta se sa dalin nga Llogaritësi i Impaktit të Bamirësisë pasi kjo nuk është konceptuar për shuma të mëdha dhe rrjedhimisht nuk merr parasysh se kostoja e shpërndarjes së ndihmës rritet në çastin kur njerëzit në nevojë që janë më lehtësisht të arritshëm janë mbuluar dhe duhet të shkohet më larg).
Kur një person zgjedh të blejë “Salvator Mundi” në vend që t’i rikthejë shikimin nëntë milionë njerëzve, çfarë do të thotë kjo mbi vlerat e tyre? Një gjë është e qartë: atyre vështirë se ua ndjen për të tjerët. Çfarëdo kënaqësie që ata, familjet apo miqtë e tyre do të marrin kur të shohin tablonë, ajo vështirë se mund të krahasohet me përfitimin e rikthimit të shikimit të një personi të vetëm, e jo më të shumë milionëve.
E drejtë apo gabim, shumica jonë japin më shumë peshë për interesat tanë të drejtpërdrejtë dhe interesat e fëmijëve e të afërmve e të miqve para interesave të të tjerëve. Sa më të largët dhe sa më të ndryshëm prej nesh të jenë këta të tjerët, aq më e madhe është norma e injorimit që ne zbatojmë në praktikë.
Megjithatë ka një kufi në të cilin norma e injorimit bëhet kaq e madhe dhe interesat e të tjerëve trajtohen me kaq indiferencë sa ne duhet të themi jo, kjo është e tepërt. Ne mund të argumentojmë se njerëzit më të pasur janë në anën e gabuar të këtij kufiri. Ajo që mua më duket e paargumentueshme është se të shqetësohesh për pasjen nën pronësi të një tabloje më shumë se sa për shikimin e shumë milionë njerëzve, kjo është shumë përtej kufirit.
Më 2006, investitori legjendar Warren Buffett premtoi të japë shumicën e pasurisë së vet – rreth 30 miliardë – për Fondacionin Bill & Melinda Gates Foundation për të ndihmuar njerëzit në varfëri ekstreme. Kjo dhuratë – dhurata më e madhe e vetme e dhënë ndonjëherë nga dikush për dikë – dyfishoi burimet e fondacionit. Për të shënuar dhjetëvjetorin e dhuratës së Buffett, Bill dhe Melinda Gates së fundmi i raportuan atij se çfarë kishte bërë fondacioni, bashkë me organizata të tjera, për të përmirësuar shëndetin botëror përgjatë kësaj dekade.
Shifra që Bill dhe Melinda Gates theksojnë është 122 milionë. Ky është numri i jetëve të fëmijëve të shpëtuar që nga viti 1990 nga reduktimet progresive të normave të vdekshmërisë foshnjore. Me fjalë të tjera, nëse vdekshmëria foshnjore do të mbetej konstante nga viti 1990 deri më sot, 122 milionë fëmijë më shumë do të kishin vdekur nga sa kanë vdekur në fakt gjatë kësaj periudhe.
Ndoshta kontributi më i madh që ka Fondacioni Gates në këtë rënie është dhënia e 750 milionë dollarëve për të themeluar Aleancën Globale për Vaksinim dhe Imunizim (të njohur si Gavi, Aleanca e Vaksinës), një aleancë publike dhe private që punon me qeveriitë dhe me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për të përmirësuar normën e vaksinimit në vendet e varfra dhe për të ndihmuar zhvillimin e vaksinave të reja. Tashmë 86% e fëmijëve të botës marrin vaksina bazë – norma më e lartë në të gjitha kohërat.
Familja Gates thotë se për çdo dollar të shpenzuar në imunizimin e një fëmije përfitohen 44 dollarë në ekonomi, përfshirë paratë që familjet në kushte të tjera do të humbin në rast se fëmija sëmuret dhe prindi nuk është në gjendje të punojë. Kontributi i Warren Buffett për imunizimet mund të jetë investimi më i mirë që ai ka bërë ndonjëherë.
Si mendoni, çfarë mund ta bëjë një person më të lumtur? Pasjen nën pronësi të një tabloje – edhe nëse ajo është tabloja më e mrekullueshme në botë – apo të diturit se ke mbajtur miliona fëmijë të shëndetshëm, ke kursyer jetë dhe ke ndihmuar familjet ekonomikisht në të njëjtën kohë? Logjika njësoj si edhe kërkimi psikologjik sugjeron se kënaqësia më e madhe nuk është pasja nën pronësi e pikturës./Reporter.al
Autor: Peter Singer