Gazetarja ruse, Tatyana Feldenhauer është plagosur pasi një person i paidentifikuar e ka therur në fyt.
Ngjarja ndodhi në zyrat e radio-stacionit “Echo of Moscow” pak pas orës 12 të natës. Feldenhauer është zëvendës/kryeredaktore e një prej mediave më liberale në vend.
Autori i sulmit, një burrë i cili kishte hyrë brenda zyrave u kap nga kolegët e gazetares dhe më vonë u arrestua. Një gazetar i radios postoi në Twitter një foto të agresorit.
Feldenhauer është në spital dhe po mjekohet. Kryeredaktori Alexei Venediktov, tha se plagët nuk janë kërcënim për jetën e gazetares.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Ria Novosti”, autori ka kryer sulmin ndaj gazetares për shkak të një konflikti personal të pazbuluar deri më tani.
“Echo of Moscow” zotërohet prej gjigantëve rus të gazit, Gazprom. Ky stacion u jep kohë gazetarëve dhe analistëve që janë kritikë ndaj Kremlinit dhe janë përshkruar si “radioja e fundit e pavarur e Rusisë”. /tvklan.al