Surprizon Edi Rama!
Televizioni Klan ka mësuar se vendimi i parë i qeverisë së re, ai për Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, do të jetë se përveç, Edi Ramës si kryetar i komisionit shtetëror, ky vit jubilar do të organizohet nën kujdestarinë simbolike të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Shqipërisë, Ilir Meta.
Pakkush do ta priste nga Rama i deridjeshëm që armikut të tij të vjetër e të ri, Ilir Metës, t’i ofronte kaq bujarisht një vend nderi në kopertinën e vitit jubilar të Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Por mesa duket, për kryeministrin nuk ka më pengesa të kësaj natyre, ndërkohë që edhe opozita kryesore e vendit ka gjetur vend në komisionin shtetëror, ku bashkë me Ramën e një sërë ministrash e personalitetesh do të ulen edhe nënkryetari opozitar i Kuvendit, si edhe kryetari i komisionit të integrimit, që gjithashtu do të jetë një deputet i opozitës.
Hashim Thaçi nuk është i vetmi shqiptar i Kosovës i përfshirë në kopertinën prestigjoze, pasi në krah të Edi Ramës në komisionin organizator do të jetë edhe Shpend Ahmeti, kryebashkiaku i Prishtinës, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, si edhe kryekomunaren e Tetovës, Teuta Arifi.
Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të startojë në 28 Nëntor në Vlorë, me 105 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe do të mbyllet në javën e fundit të Nëntorit 2018, në Tiranë, me Samitin e Dytë të Diasporës.
Tv Klan