Kryeministri Edi Rama në një takim në kryeministri me task-forcen anti kanabis tha se i kemi shpallë luftë drogës dhe trafikantëve. Për këtë ka reaguar lideri demokrat Lulzim Basha i cili i thotë Ramës se trafikantët e mëdhenj të drogës dihen por që policia nuk i arreston dhe jetojnë në liri me bekimin e tij.
Statusi i Bashës
Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se herozimi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.
Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Sajmir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëhere. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen.
Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen. Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu.
Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë.