Për 1 muaj përfundon afati që kompania, që ka fituar tenderin 13 milion euro për të mirëmbajtur akset e jugut, duhet të kishte rehabilituar dy urat në autostradën Fier – Vlorë.
Por në këto dy ura ku autostrada ka pësuar dëmtime që janë shndërruar në burim aksidentesh, nuk është vendosur as sinjalistika e nevojshme, si detyrimi kryesor për sigurinë e qytetarëve, para nisjes së punimeve.
Puna për mirëmbajtjen e Autostradës së Pavarësisë duhet të kishte nisur në Shkurt, sipas kontratës, por teksa po mbyllet muaji i 6, është bërë vetëm asfaltimi i njërit krah.
Dy nyjet lidhëse në të dyja krahët e autostradës vazhdojnë të krijojnë barriera të forta, të cilat në disa raste detyrojnë makinat të dalin nga rruga për shkak të frenimit të fortë.
Dy javë më parë në këtë rrugë ishte kjo sinjalistikë, ku tabela paralajmëruese për të ulur shpejtësinë nga 110 km/h në 20 km/h nuk të le hapësirë më shumë se 50 metra. Ndërsa në anën të tjetër të aksit nuk ka asnjë sinjalizues përveç kësaj tabele që tregon se ka ganxha në rrugë.
Për ekspertët vendosja e sinjalistikës duhet të ishte mbyllur që në muajin Maj, ndërsa teknikisht, rregullimi i nyjeve të dy urave mund të bëhej brenda dy javësh.
Teksa rreziku mbetet i njëjtë, ekspertët thonë se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mungesën e sigurisë në këtë rrugë.
Tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve në jug të vendit është fituar nga bashkimi i kompanive “Elikatechnical Commerce” dhe Salillari dhe zbatimi i kontratës ka nisur në 15 Shkurt.
Fondi është dhënë nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, por siç shihet në realitet, këto para nuk janë përdorur aty ku ka nevojë edhe më shumë për mirëmbajtjen dhe sigurinë, në aksin e vetëm që lidh Shqipërinë me qytetin e Vlorës, më të frekuentuarin gjatë pushimeve të verës.