Biznesmeni nga Vlora, Bukurosh Malaj është ndarë nga jeta në mënyrë të mistershme dhe ngjarja është raportuar si aksident me makinë.
Gazetari i News 24, Enrik Mehmeti ka kontaktuar me familjarët e të ndjerit, të cilët hedhin dyshime të forta se nuk bëhet fjalë për një aksident. Ata dyshojnë tek dëshmia e vajzës që udhëtonte me viktimën në momentin e aksidentit.
Sipas shoqërueses, biznesmeni ka qënë duke udhëtuar me të në makinë, kur është përplasur nga një kamion dhe ka marrë plagë të rënda në kokë. Kjo e fundit ka njoftuar policinë, ndërsa biznesmeni është dërguar me urgjencë në Tiranë, ku ka qëndruar për tre ditë në koma, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka ndërruar jetë.
DËSHMIA E SHOQËRUESES
Shoqëruesja e biznesmenit ka deklaruar në polici se ka qënë duke udhëtuar me të kur ky i fundit ka nxjerrë kokën nga dritarja e makinës. Pikërisht sipas saj, ky ka qënë momenti fatal, pasi e ka përplasur një kamion. Ajo ka njoftuar menjëherë policinë dhe biznesmeni i ndjerë është transportuar me urgjencë në spital.
DYSHIMET E FAMILJARËVE
Familjarët e biznesmenit që kishte një Fast-Food në qytetin bregdetar të kontaktuar nga gazetari Enrik Mehmeti, raportojnë për BalkanWeb se kanë dyshime për aksidentin, pasi makina e këtij të fundit nuk ka asnjë lloj shenje. Ata kërkojnë hetim në thellësi të kësaj çështje dhe nuk duan që organet përkatëse ta trajtojnë thjesht si një aksident. Prej disa kohësh, sipas tyre biznesmeni nuk jetonte me bashkëshorten.