Rreziku i zjarreve vijon të mbetet i vazhdueshëm në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta. Përgjatë orëve të fundit ka pasur 3 vatra zjarri në pyje në qarqet Gjirokastër dhe Dibër.
Specialistët e Emergjencave Civile vijojnë të monitorojnë situatën nga afër në të gjithë vendin.
Emergjencat Civile bëjnë thirrje ndaj qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 ose në numrin 0694110198.
Situata sipas qarqeve
QARKU GJIROKASTËR
Vatra e zjarrit e nisur mbrëmjen e djeshme në kurorën e gjelbër të qytetit të Tepelenës është riaktivizuar sërish.
Emergjencat Civile kanë nisur një helikopter për shuarjen flakëve nga ajri pasi ndërhyrja nga toka është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë.
QARKU DIBËR
Në fshatin Dushaj, Bulqizë vijon zjarri në një masiv pyjor me dru ahu. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë me mjete rrethanore për shkak të terrenit të thyer. Aktualisht është duke u punuar për shuarjen e flakëve edhe pse ato favorizohen nga era.
Në fshatin Patin, Klos zjarri ka djegur një sipërfaqe prej 1 hektarësh me shkurre, ferra dhe pisha. Zjarrfikëset kanë ndërhyrë me mjete rrethanore dhe vetëm pas disa orë punë kanë arritur të shuajnë flakët.