Zgjedhjet e së dielës e kanë bërë të qartë një gjë: Kosovarët duan një udhëheqje të re politike, shkruan gazeta e madhe zvicerane «Neue Zürcher Zeitung». Fitorja e ngushtë e koalicionit të zotërve të luftës është në fakt humbje. Sipas gazetës koalicionit PDK, AAK dhe Nisma nuk i bëri punë rrjeti i tyre klientelist, as qasja në resurset shtetërore apo kontrolli faktik i vendvotimeve nga «vëzhguesit» e dyshimtë. Këto parti morën 10 % më pak vota se para tri vitesh. Ndërsa, sipas NZZ, Lëvizja majtiste Vetëvendosje dyfishoi numrin e votave.
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe aleatët e tyre premtuan një fillim të ri, por Vetëvendosje është e vetmja që mishëron besueshëm një filli të ri për Kosovën. Rezistenca e VV kundër establishmentit zhvillohet me metoda të pazakonshme (sulme me gaz lotsjellës në parlament dhe opozitë fundamentale), megjithatë, shkruan NZZ, VV nuk është problemi kryesor i Kosovës. Problemi është koalicioni i komandantëve: aty vegjetojnë liderë politikë që kanë kryer krime lufte, madje dyshohet të jenë përgjegjës për vrasje ndaj popullsisë civile pas luftës dhe për kulturën e frikësimit në vend. Fakti që as Haradinaj, as Thaçi nuk janë dënuar kurrë, nuk ka të bëjë me pafajësinë e tyre, por në kodin e heshtjes, i cili do të vazhdojë për aq kohë sa ata janë në pushtet.
Liderët e Kosovës, shkruan NZZ, janë të diskredituar dhe nuk e kanë përparuar vendin përkundër përkrahjes zemërgjerë nga Perëndimi. Papunësia, korrupsioni dhe emigrimi paralizojnë shoqërinë, ndërsa pushtetarët kryesisht i fusin në xhepat e tyre paratë e huaja.
Sipas NZZ liderët e «krahut të luftës» përfaqësojnë një stabilitet të gënjeshtërt, sepse stili i tyre i qeverisjes është oksigjeni më i mirë për vatrën e ndezur të pakënaqësisë. Meqë ata nuk kanë receta për përmirësimin e gjendjes, rregullisht në mënyrë oportuniste aktualizojnë kërkesa nacionaliste, por pastaj menjëherë tërhiqen nëse presioni ndërkombëtar bëhet i madh. Kështu ata e kanë bllokuar procesin e pajtimit.
Gazeta apelon që Perëndimi që heq dorë nga praktika e deritanishme e përkrahjes së të ashtuquajturve garantë të stabilitetit. Duke pasur parasysh rezultatin kjo strategji duhet të rimendohet, sepse nuk është e dobishme. Perëndimi në Ballkan duhet të angazhohet edhe për vlera, jo vetëm për gjeopolitikë.
Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë në të vërtetë paraqet një shans: meqë «krahu i luftës» do ta ketë vështirë të krijojë një qeveri, tani Vetëvendosje e meriton një shans, të cilin Perëndimi nuk ia dha para tri vitesh nga kujdesi për stabilitet. Sipas NZZ Vetëvendosje ka legjitimitet shumë më të madh demokratik se koalicioni i komandantëve dhe për dallim nga këta nuk është e korruptuar. Në Prishtinë, të cilën e kontrollon, VV po shquhet me politikë pragmatike. Duke ia dhënë përgjegjësinë ajo duhet të tregojë nëse mund ta çojë vendin përpara për dallim nga elita e mbetur e vendit.