Ministri i ri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka pezulluar sot nga detyra Drejtorin e IEVP në Tropojë, Granit Kurmekaj dhe e ka dërguar për ndjekje penale me dyshimin e përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor. Ashtu siç është parashikuar edhe në marrëveshjen Rama-Basha ministrat teknik kanë pikërisht këtë detyrë parësore: Moslejimin e administratës në fushatën elektorale.
“Kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekaj, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin”, bën të ditur ky dikaster.
Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Granit Kurmekaj, me detyrë Drejtor i IEVP Tropojë, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal.
Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të Drejtorit të IEVP Tropojë.
“Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve. Z.Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë”, – thuhet në njoftimin për shtyp të këtij institucioni.