Nga Albatros Rexhaj Sfilata e organizuar me 12 Maj nga “Class Events” e Alketa Vejsiut nuk përbën një ngjarje të formatit lajm ditor, për të cilën flitet shkurt dhe më pas harrohet. Nga ana konceptuale, eventi ndërthuri tre dimensione përmbajtësore: ishte kartolinë përshëndetëse, si për miqtë ashtu edhe për rivalët, që promovonte identitetin profesional por edhe social të grupit “Class AV”; ngjarje mode me nuanca të lehta të një eventi kulturor; si dhe një përpjekje dinjitoze për të vendosur kornizat e një modeli të ri se si duhet organizuar ngjarjet e tipit të tillë.
Arsyeja pse për këtë ngjarje jam duke shkruar pothuajse dy javë më pas ka të bëjë me ndjesinë e veçantë që më dha ky event si dhe bindjen që kam se kjo ngjarje shënon një pikë kthese në traditën shqiptare të organizimit të ngjarjeve të modës. Sfilata, pothuajse në tërësi, ishte e frymëzuar nga eventet më të mira që mund t’i hasim në Fashion TV, të stilizuara për t’u përshtatur me idenë e Alketës që për pak orë edhe Tirana të bëhet pjesë e traditave të të mira të botës bashkëkohore të modës. Jam i bindur se organizimet që do ndodhin në të ardhmen do të jenë të ndikuara nga modeli që Alketa Vejsiu ka prezantuar me 12 maj në Plazza International. Thjesht, është një standard i ri që do të ndiqet nga të tjerët.
Anash spektakularitetin dhe frymën High Class të aspektit organizativ, e veçanta e këtij eventi ishte koleksioni ekskluziv i Rezarta Skifterit. Fustanet e Rezit ishin që të gjitha të punuara me dorë, me një frymë tërësisht tradicionale, por të stilizuara që të zënë vendin në trendet bashkëkohore të modës. Krijimet e Rezarta Skifterit nuk ishin thjesht vetëm fustane, por përbënin diçka që mund të cilësohet si kreativitet në veprim. Të menduara thellë, plot detaje dhe të zhvilluara me synimin që të nxitin ndjesinë se fustani është pjesë e pandashme, personalisht do thosha edhe thelbësore, e rritjes shpirtërore të damës që është duke e veshur atë.
Në shumë elemente, ky koleksion i Rezartës përfaqëson një nga shtyllat e frymës që u prezantua së fundmi në London Fashion Week: ka ardhur koha që edhe modës t’i qasemi me pasionet më burimore, ato që shpërthejnë nga vetë instinktet tona themelore. Dhe pikërisht këtë ka bërë Rezarta: ajo i është bindur instinkteve të saja, duke i rezistuar shtytjes që të krijojë diçka në frymën “dernier cri”. Mua, ky koleksion më ka bërë të vetëdijshëm se edhe unë, si shumë të tjerë, në realitet, Rezarta Skifterin e njohim pak. Përkundër pranisë së saj të madhe në media dhe gjetiu, me këtë koleksion, Rezi na tregoi se ajo është një enigmë kreative.
Në evente të tilla jo pakkush pyet: kush nga damat mysafire ishte veshur më me stil dhe me shije? Ndjesë për të gjitha damat e tjera, secila elegante dhe e bukur në mënyrën e vet, por, mua, Marigona Nila – Nina dhe Irena Kita më impresionuan me gjetjet e tyre: thjeshtësi aristokratike, plot bukuri të butë që tejkalon aftësinë fizike të syrit për ta përpirë.
E veshur në një fustan të dizajnuar nga Krenare Rugova, mbase e vetmja disenjatore shqiptare që kultivon frymë dhe shije parisiene, Marigona dukej si shoqja më e mirë e princeshës nuse. Me veshjen dhe dukjen e saj, ajo kishte ngjizur tre detaje të karakterit të vet që pakkush mund t’i injorojë: arkitekten artiste që edhe mendjen e fut në funksion të shpirtit; fashionisten që ndjek parimin e Versace që të mos bëhet rob i trendeve, por të kërkojë mënyra origjinale për ta shpërfaqur vërtetësinë personale; si dhe vajzën e re që e përjeton veten si një trëndafil të bukur, të mbrojtur nga gjembat e mprehta e të cilat nuk guxon t’i shohësh ndryshe pos si pjesë të vetë bukurisë. Pas kësaj mbrëmjeje, krejt çka mund të them për Ninën është se jam një fans i madh i të gjithës që ajo sot përfaqëson.
E veshur me një fund të punuar nga Rolanda Balla dhe me një bust sipër të punuar nga vetë Irena, për mua, Irena Kita ishte kampionia e klasit të vërtetë. Me kombinimin e veçantë, thjeshtësi e qëndisur me aroma dhe emocione të vetë natyrës diskrete të të qenit femër, Irena përmbysi disa skema shterpe të metropolit tonë (që shijes dhe stilit përpiqen t’i vënë një vlerë monetare) dhe dëshmoi se snobizmi nuk mund të shitet si elegancë.
Në fund, duhet thënë disa fjalë për modelet. Si një reflektim krejt personal, konsideroj se modelet nga shkolla “Grace Models”, sidomos Endi Cini dhe Frenki Ceko, reflektonin më shumë profesionalizëm sesa disa nga emrat e njohur që u paraqitën në këtë sfilatë. Kjo sfilatë tregoi se “Grace Models”, si shkollë modelingu, krijon modele që sfilatës i japin pikërisht atë që duhet dhënë dhe nuk e përjetojnë pistën si një mundësi për të promovuar një glamour personal. Gjithsesi, ky reflektim është krejtësisht personal dhe mund të jetë i ndikuar nga prirja ime që të tërhiqem drejt asaj që është e re dhe e pashteruar nga publiku.
Në fund dua të bëj një reflektim tjetër, po ashtu krejtësisht personal. Nuk kam asnjë dyshim se Class AV do të vërshojë fuqishëm në tregun dhe botën shqiptare të modës, pasi që përbën një ndërthurje interesante të kapitalit financiar, potencialit kreativ, energjisë organizative dhe të fuqisë mediale, por, në të njëjtën kohë, kam brengën (krejtësisht personale) se edhe Class AV, si shumë subjekte të tjera, mund të bëhet pjesë e nomenklaturës gjigante të snobizmit shterp që karakterizon metropolin tonë. Nëse kjo ndodh atëherë potenciali masiv i një ylli reduktohet në shkëlqimin e fuqishëm dhe tronditës të një meteori, një rrëfim kalimtar dhe jo një institucion klassi. Por, dhe këtë e them me plot gojë, duke e njohur Alketën, kam besim se ajo do të dijë të navigojë në ujërat e trazuara të fenomeneve shqiptare dhe vërtet të krijoj diçka origjinale, shqiptare, një brend unik tonin të denjë për të bërë xhiro në të gjithë botën.
(ky reflektim është krejtësisht personal)