Kuvendi ka miratuar sot pas disa orësh, diskutime, mbledhje dhe debate, të gjitha pikat e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha për futjen e opozitës në zgjedhje.
Kështu me 123 vota pro, Kuvendi ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal dhe me 118 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor të cilat rrisin dukshëm dënimet për shitblerjen e votës.
Në të njëjtën kohë me 118 vota pro u miratuan ndryshimet në ligjin e mediave audiovizive.
Në përputhje me marrëveshjen, u miratua edhe përbërja e katër komisioneve të Vettingut.
Nga dita e sotme kryetar i KQZ-së do të jetë Klement Zguri, i cili u zgjodh në këtë post me 117 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenim.
Ndërsa Denar Biba u zgjodh anëtar i KQZ-së me 113 vota pro 4 kundër dhe 4 abstenim.
Në fund u votua edhe Erinda Ballanca si Avokate e Popullit me 112 vota pro, 4 kundër dhe 10 abstenim.