Nga Dritan LACI
Agjencia Telegrafike e Lajmeve Japoneze i ka kushtuar një vend të posaçëm në edicionin e saj të fundit të lajmeve nga bota, hitit të mbrëmshëm në “Opinion”, ku Qeveria shqiptare u mësua se ka ndaluar me një vendim të sajin të njohur si VKM, vazhdimin e tërmeteve në zonën e Zharrëzës. Ky lajm ka lumtuar pa masë sizmiologët në Japoni, të cilët pas vitesh të gjata kërkime në fushën e sizmologjisë, gjetën më në fund shpëtim te qeveria mike e Shqipërisë së vogël në anë të Adriatikut të largët.
Mësohet se vetë Perandori Akihito ka mbledhur Shtabin e Sigurisë Kombëtare dhe po bën gati një listë të gjatë me dhurata vetëm e vetëm me qëllimin për të joshur qeverinë shqiptare në mënyrë që kjo e fundit të pranojë ti japë Kodin e Kuq të ndalimit të tërmeteve. Vetëm në një vit në Japoni toka lëkundet mbi 1 mijë herë dhe sistemi Shindo me aparaturat më të fundit Merkali nuk ka arritur të parandalojë tërmetet e fuqishme që bien në ishullin e famshëm të njohur për Samurait, Geishat dhe teknologjinë më të fundit. Një kërkesë të tillë pritet ta parashtrojnë Qeverisë Shqiptare edhe zonat bregdetare në anë të Oqeanin Indian dhe Paqësor ku tsunamet marrin me mijëra jetë njerëzish.
Por ky lajm nuk ka kaluar edhe pa vëmendjen e shkencëtarëve në fushën e mjekësisë.
Të pashpresë në kërkimet e tyre në luftën kundër Parkinsonit, Mësohet se edhe ata I kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë të ndërhyjë te kryeministri Rama dhe Qeveria Shqipëria, me qëllim që tu japë Kodin e Tronditjeve nga Parkinsoni. Çka nëse do të bëhej e mundur do të shpëtonte me mijëra jetë njerëzish që vuajnë në botë nga kjo sëmundje.
Por nuk përfundon këtu. Po kështu shtetet e Kalifornisë dhe Teksasit do ti dërgojnë kryeministrit Rama një VKM për ndalimin e tornadove. Po këtë kërkesë nuk duan ta marrë vesh Trumpi me të cilin Rama nuk ka marrëdhënie të mira.
Por lajmi I mbrëmshëm në “Opinion” ka hapur oreksin edhe për një garë të pandershme globale.
Pasi janë përhapur lajme që Qeveria Shqiptare ka në sirtarin e saj edhe VKM për bubullimat, vetëtimat dhe rrufetë në qiell të pastër.
Në një anë një VKM e tillë do të kishte një të mirë pasi do të ndalte garën për armatim bërthamor, por në anë tjetër do të furnizonte shtetet e fuqishme të interesuara mbi përmbajtjen e sekreteve natyrore.
Ky zbulim i Qeverisë Shqiptare mund të ketë efektin e zbulimit të molekulës atomike e cila me lindjen e saj erdhi si një dobishmëri e madhe në fushën e shkencës, por në krahun tjetër ky zbulim u përdor për qëllime të tmerrshmë siç ishte krijimi i bombës atomike.
Përvetësimi i sekreteve të tilla natyrore që mban në sirtar Qeveria Rama sa do të ndihmonte në parandalimin e fatkeqësive aq edhe do të hapte premisat për një Luftë të Tretë Botërore që do të quhej Lufta e Termeteve ku shtetet në konflikt do të qëllonin njëri tjetrin me termete të shkallës 8.2 rihter ose mund tu lëshonin rrufe vrasëse në qiell të hapur.
Sigurisht që zbulimi i mbrëmshëm në “Opinion” do ta bënte Ramën dhe qeverinë e tij një kandidat të fortë të mundshëm për fituar çmimin “Nobel” për Paqen në botë në një kohë kur Rama vetëm po merr profilin e një lideri global. Por nxjerrja e të tilla sekreteve mund të shkaktojë edhe tërmet për qeverinë e tij të brishtë. Mund të kthehet në mallkim. Imagjinoni sikur këto VKM të binin në duart e LSI-së, Opozitës apo Ben Blushit…..
Këto VKM shpjegojnë edhe aftësitë mbi natyrore që Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka treguar në parashikimin e saktë të përmbytjeve gjatë mandatit të tij të shkurtër në krye të Bashkisë së Tiranës.
PS. Çdo gjë e shkruar më sipër është një situatë hipotetike bazuar në çudinë më të fundit që ka prodhur një Qeveri Shqiptare që nga viti i largët 1912./ Opinion.al