Një ndër grabitësit e mbetur në arrati, Jetmir Çerpja është arrestuar në Dibër në orët e vona të së premtes. Ai është transportuar menjëherë drejt Tiranës.
Tashmë në kërkim mbetet vetëm Admir Murataj (Nika), që, sipas Policisë, është organizatori kryesor i ngjarjeve.
Ndonëse si ideator dhe “kapo” i grupit konsiderohet Murataj, Çerpja, me të cilin ka lidhje familjare, ishte krahu i tij i djathtë.
Mësohet se Jetmir Çerpja ka pasur një rol shumë aktiv në të dyja grabitjet e ndodhura më 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.
Ai ka ndarë rolet e të gjithë pjesëtarëve të grupit, se kush do të informonte, kush do të vëzhgonte dhe kush do të realizonte sulmin me armë për të marrë paratë.
Gjatë gjithë kohës së përgatitjes së grabitjes, ai organizonte me detaje rrethanat kur do të realizohej ngjarja, orarin e përshtatshëm, si dhe ndante detyrat për personat që do mbanin nën vëzhgim patrullat më të afërta të Policisë, duke kronometruar të gjitha lëvizjet.