Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehu sot ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të shkrimtarit dhe poetit të shquar shqiptar Dritëro Agolli, përmes një mesazhi drejtuar familjarëve të tij.
“Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të bashkëshortit, babait, gjyshit dhe njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm. Me këtë rast të trishtë dhimbjeje, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e sinqerta, dhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke u përpjekur t’ju gjendem pranë shpirtërisht në këto çaste tejet të vështira!, citohet mesazhi i Kreut te Shtetit.
Me ikjen nga kjo jetë të Dritëro Agollit, letrave shqipe do t’iu mungojë shkrimtari dhe poeti i ndritur, autori i një krijimtarie letrare të vyer e të pashtershme, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
Ndërsa shoqëria jonë humbi mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik, i cili me kontributet e tij të rralla në dy periudha historike, la gjurmë të pashlyeshme si protagonist i lëvizjeve emancipuese përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli si në art, ashtu edhe në politikën shqiptare të epokës së pluralizmit,thuhet ne mesazhin engushellimit te Presidentit Nishani.