Klement Balili është kthyer tashmë në “Armikun numër 1” të shtetit. Emri i tij ka bërë që politika ta shtrojë atë në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Akuzat e ndërsjellta kanë qenë se Balili nuk është arrestuar për shkak të mburojës politike që ka pasur.
Që ai është mbështetur plotësisht nga nivele të larta politike është thënë disa herë si nga mediat shqiptare ashtu edhe ato greke. Fotot që lapsi.al po solli në 12 dhjetor të vitit 2016 ishin një dëshmi e pastër se i ashtuquajturi “Eskobar i Ballkanit”, jo vetëm ka lëvizur lirshëm pasi ishte shpallur gjoja në kërkim, por ai ka qenë shpesh në shoqërinë e individëve të veshur me pushtet që do të duhej ta denonconin si një person i dyshuar për aktivitet kriminal.
Balili u shpall në kërkim nga interpoli në 17 maj të vitit 2016. Por në tetor 2016, lapsi.al botoi një lajm sipas të cilit, Balili, shëtiste i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ekzistonte një urdhër- arresti nga policia greke. Madje lapsi.al raportoi atëherë se Balili kishte festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë.
Personi që martohej është aktualisht drejtori i Transporteve në Sarandë, pozicion që më parë e mbante vetë Kel Balili, përpara se të shkarkohej kur u shpall në kërkim nga policia greke si kreu i një bande që trafikonte drogë në Evropë. Gjatë gjithë kohës, ai ka qenë i ulur në tavolinën e dasmës bashkë me kreun e Partisë Socialiste në Tepelenë, Dino Selimi që mban edhe postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Transporteve në Gjirokastër. Në fotot më poshtë, bashkë me Balilin është shënuar me rreth të kuq edhe Selimi, zyrtari i lartë i Transporteve në Gjirokastër.
Këto foto vërtetojnë më së miri faktin se Klement Balili, ashtu siç raportohej nga agjencitë ndërkombëtare të antidrogës, ka pasur mbështetje politike si gjatë aktivitetit të tij të dyshuar kriminal, ashtu edhe në mosveprimet për ndalimin e tij.
Ditët e fundit, përplasja politike PS-LSI për mosarrestimin e Balilit ka dalë në sipërfaqe. Ishte vetë Ilir Meta që kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ministri i tij i Drejtësisë Ylli Manjani nuk ka lënë rast në daljet e tij televizive duke e theksuara se “atë duhet ta arrestojnë ata që e kanë për detyre” duke drejtuar shigjetat nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Akuzat e ministrit Lefter Koka ndaj ministrisë së Brendshme për kanabisin ishin një tjetër goditje. Por ndërsa dy partitë më të mëdha në qeveri përplasen për këtë çështje, Balili mund të shijojë lirinë duke parë si lakohet emri i tij në ekranet televizive nga politikanët më të lartë të këtij vendi.
Burimi: LAPSI.AL