Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Ylvi Beqja, nuk u ballafaqua dje në sallën e gjyqit me Emiliano Shullazin dhe katër të dyshuarit si bashkëpunëtorë të tij.
Seanca gjyqësore, ku biznesmeni Beqja pritej të përballej me personin që e ka akuzuar për “gjobëvënie”, rezultoi e dështuar, raporton “Panorama”.
Pas gati tri orë orvatjesh, Krimet e Rënda nuk mundën të siguronin një sallë të përshtatshme për marrjen e dëshmisë së biznesmenit dhe as ballafaqimin e tij me të arrestuarit.
Seanca në fjalë do të zhvillohej në zbatim të një vendimi të mëparshëm të Krimeve të Rënda, për pranimin e kërkesës së Prokurorisë për “sigurim prove”, pyetjen e dëshmitarit Beqja.
Biznesmeni, që pretendon t’i ketë dhënë nën kërcënimin e armëve një pjesë të pronësisë së ishhotel “Vollgës” dhe 541 mijë euro Emiliano Shullazit, mbërriti në gjykatë me një makinë civile nën shoqërinë e agjentëve të Zyrës së Mbrojtjes së Dëshmitarëve.
“PINGPONG” SALLASH
Për shkak të fazës në të cilën ndodhet procedimi penal ndaj Shullazit dhe të dyshuarve të tjerë, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja, seanca u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime brenda sallës pohuan se e gjithë seanca u përcoll me debate të tensionuara mes palëve, ku në thelb ishte lloji i sallës së gjyqit dhe mënyra si do merrej dëshmia e Beqjes.
Që në nisje, avokatët Alban Qafa dhe Vladimir Meçi kanë kërkuar zhvillimin e seancës në një sallë ku kafazi të ishte me hekura, për t’u dhënë mundësi atyre të komunikonin lirisht dhe në mënyrë konfidenciale me klientët e arrestuar.
Kafazi i sallës ku u artikulua kjo kërkesë është me xham dhe nuk lejon komunikim konfidencial mbrojtëstë pandehur. Nga ana tjetër, Emiliano Shullazi dhe të arrestuarit e tjerë i kanë kërkuar Gjykatës të kishin në sallë dëshmitarin e mbrojtur.
“Duam ta shohim, të ballafaqohemi me të”, mësohet të jetë kërkuar prej tyre. Pas gati një ore në dhomën e këshillimit, trupi gjykues u shpreh me vendim për ndërrimin e sallës, si dhe pyetjen e dëshmitarit në kushte normale.
Pas zhvendosjes së palëve dhe të pandehurve në sallën numër 3 të gjykatës, pasi në një tjetër sallë kishte probleme sistemi i regjistrimit audio, trupi gjykues ka dalë me një qëndrim “surprizë”.
Sipas burimeve, duke cituar pretendimin e Policisë se në atë sallë nuk mund të garantohej siguria e dëshmitarit, Gjykata ka urdhëruar palët të rikthehen në sallën numër 1. Përveç kësaj, marrja e dëshmisë do të realizohej në një formë të tillë që Beqja të mos kishte kontakt pamor me të arrestuarit.
“BRAKTISJA”
Seanca ka vijuar me një kërkesë të mbrojtësve për përjashtim të trupit gjykues. Kjo kërkesë është pasuar nga një tjetër, përmes së cilës mbrojtësit kanë pretenduar se sigurimi i provës është bërë përtej afateve të parashikuara në ligj.
Po ashtu, avokatët i kanë bërë me dije trupit gjykues se vendimi i ndërmjetëm për “sigurim prove” ishte ankimuar prej avokatëve në Apelin e Krimeve të Rënda. Sipas tyre, Gjykata nuk mund të procedonte në një kohë që Apeli nuk ishte shprehur për këtë kërkesë.
Pas vendimit të Gjykatës për të vijuar seancën, duke e konsideruar procesin si të paragjykuar, të arrestuarit dhe mbrojtësit e tyre janë larguar nga salla e gjyqit, duke e bërë të pamundur vijimin e seancës./Armand Bajrami Panorama.al