Nga Berat Buzhala
Unë mendoj – të mos keqkuptohem, kjo nuk është dëshirë e imja – se ditët e rënda po vijnë për Presidentin Thaçi dhe për disa shokë të tij. Ai nuk do të bënte mirë që ta ngatërronte fatin e Kosovës me fatin e tij.
Për Presidentin Thaçi, ish Kryeadministratori i Kosovës, Bernard Koushner kishte thënë: ai është një politikan që në mbrëmje e shkakton një problem, kurse vjen tek unë të nesërmen në mëngjes me një propozim për ta zgjidhur atë.
Pas rreth 10 vitesh si politikan i moderuar, pasi e përmbylli një cikël të rrast politik, duke qenë në krye të vendit në të gjitha format dhe trajtat, edhe si shef i mbitokës edhe si shef i nëntokës, Presidenti Thaçi i është kthyer taktikave të tij të vjetra: të shkaktojë probleme, për të cilat pastaj ai do të ofrojë një zgjidhje paqësore.
Kaluan dy javë prej kohës kur në kufirin verior të Kosovës u ndal një tren provokues që po vinte nga Beogradi, me urdhër të edhe-më-tutje-nuk-dihet-kujt.
Institucionet tona, ndoshta pikërisht Presidenti Thaçi, dhanë urdhër që treni të ndalej. Ai tashmë ishte ndalur në Rashkë, por për çdo rast u dha edhe një urdhër prej nesh. Dhe u bë mirë. Serbia e pësoi një disfatë, paçka që Vucic provoi ta shndërronte humbjen në fitore, sipas traditës serbe.
Në rrethana normale udhëheqësit e vendit tonë do të duhej të ishin të parët për t’u interesuar që afera të mbyllej. Për disa arsye, tensionimi i mëtutjeshëm i situatës në veri të vendit është fatkeqësi për ne.
Arsyeja e parë dhe më serioze është se: konflikti eventual, tensionimi i mëtutjeshëm i raporteve tona me serbët, zhvillohet brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Pra, qoftë lufta, qoftë përleshjet ndëretnike, ose çfarëdo beteje tjetër, do të zhvillohej në mes forcave tona të rendit dhe strukturave serbe në veri të vendit.
Sapo të fillojë konflikti, sapo të vriten civilët e parë, pyetja se kush e kishte mirë e kush e kishte keq e humbë relevancën. Atëherë përgjegjësinë kryesore e bartë ai që vret më shumë civilë. Pikë. E zakonisht këtë e bëjnë forcat e organizuara policore. Pra, normalisht i bie që do të jemi ne ata që do të kryejmë më shumë krime, duke mos e pasur kurrë mundësinë që t’i tregojmë botës që në fakt fajtor është shteti serb.
Pastaj është idiotike të mendohet për një fitore të pastër forcave të rendit, përball rebelëve, ose strukturave paralele. Kjo gjë, kurdo që do të ndodhë, nuk do të ndodhë me forcë, por me paqe.
Arsyeja e dytë pse tensionimi i mëtutjeshëm i situatës është i dëmshëm për Kosovën është se ideja themelore e provokimeve, pra dëshira për konflikt, nuk po vjen prej nesh, por prej Serbisë. Ata janë pala e interesuar për të ndezur edhe njëherë flakën në Kosovë. E kam shkruar edhe para disa ditëve, Serbia është duke e pritur me ankth administratën e re të Trump. Ekziston droja që Trump dhe Putin, për të minimizuar konfliktet ruso – amerikane nëpër botë, do të mund ta tregtojnë Kosovën dhe Krimenë. Secila do t’ia njohë tjetrës ambicien mbi zona të caktuara të interesit. Në këtë mënyrë serbët do ta humbin përgjithmonë shpresën te Rusia. Prandaj ata po përpëliten që ta ndryshojnë gjendjen në terren.
Pra, një ankth i tillë i Serbisë po vërehet, çështja është kjo: çfarë zori ka Presidenti i Kosovës që po paralajmëron ditë të rënda për Kosovën? Pse u kujtua vetëm tash ta thotë publikisht se Serbia paska një plan për aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës?
Serbia nuk ka plan për aneksimin e veriut të vendit. Serbia ka plan shumë më serioz se sa kaq: rikthimin e pushtetit në tërë territorin e Kosovë. Kosova, jo vetëm veriu, është në Kushtetutën e Serbisë.
Mirëpo Presidenti Thaçi e di, që nëse do të thoshte që Serbia po planifikon të rikthehet në Kosovë, ne të gjithë do të talleshim me të. Në këtë mënyrë ai ka vendosur që ta riformulojë trillimin, ta bëjë atë më të besueshëm, duke e precizuar një pjesë të territorit të vendit. Sepse disa gënjeshtra bëhen më të besueshme sapo jepen ‘detaje’ më specifike. Nuk do të çuditesha nëse këto ditë Presidenti të shpaloste edhe ndonjë plan në letër për mënyrat se si do të futën në vendin tonë forcat speciale serbe, e që ky pritet t’i ndalojë.
Dhe pjesa më komike e gjithë kësaj është dëshira e tij për të na garantuar që një gjë e tillë nuk do të lejohet.
Me lejoni një digresion të lehtë: sigurisht që është i admirueshëm talenti politik i Thaçit. Është shumë më vigjilent se sa pjesa tjetër e udhëheqësve politikë. Mirëpo, pse Serbia nuk futet në Kosovë me forca të armatosura, kjo asnjë lidhje me Presidentin Thaçi nuk e ka. Serbia – këtë e dinë edhe fëmijët në djep – nuk futet në Kosovë, sepse këtu janë forcat e KFOR’it. Kjo çështje as që ia vlen të elaborohet më tepër.
Mirëpo le të kthehem edhe njëherë të pyetja themelore: Pse Thaçi po paralajmëron ditë të rënda për vendin?
Unë mendoj – të mos keqkuptohem, kjo nuk është dëshirë e imja – se ditët e rënda po vijnë për Presidentin Thaci dhe për disa shokë të tij. Prandaj ai nuk do të bënte mirë që ta ngatërronte fatin e Kosovës, me fatin e tij.
E kam fjalën për Tribunalin Special. Sipas meje, gjithë ky turbullim i Thaçit, gjithë ky alarm që ai po e lëshon, është i lidhur me Trubunalin dhe aktakuzat e para që pritet të ngritën gjatë kësaj pranvere. Thaçi është i frikësuar se edhe emri i tij gjendet në listat e prokurorëve. Duke qenë që shpresa vdes e fundit, Thaçi tash nuk po zgjedh mjete që gjendjen në Kosovë ta paraqes si pothuajse gjendje lufte, në mënyrë që bashkësia ndërkombëtare të llogaris në të si faktor kryesor për ta kontrolluar krizën.
Për ta përmbledhur në pak fjalë: Serbia, sipas meje, nuk ka ndonjë plan për ta aneksuar pjesën veriore. Jo pse ne do ta mbronim, por sepse ky do të ishte një pushtim i NATO’së. Thaçi nuk ka kurrfarë fuqie për ta ndaluar Serbinë që të futet në pjesën veriore, e as në pjesën qendrore. Sigurisht që nuk e mohoj që ai ka vullnet për ta bërë një gjë të tillë, por nuk ka kushte.
Në anën tjetër, lansimi i Qosjes në tregun medial me një ide për këmbim të territoreve me Serbinë, ishte vetëm një marrëzi e radhës, që nuk meriton asgjë tjetër përveç talljes së përçmimit.
/Express