Paratë të cilat vinin nga Belgjika nga i vëllai çuan në arrestimin e Delin Hajdarajt. Ato dërgoheshin në emër të një të afërmi të familjes Hajdaraj, i cili më pas ia jepte 26 – vjeçarit. Hetuesit vunë në survejim këtë person dhe me anë të tij arritën të gjejnë të arratisurin.
Ai u mbajt disa kohë në vëzhgim, pasi Hajdaraj jetonte në tre shtëpi të marra me qera prej Gushtit të vitit të kaluar. Në kohën, kur policia kishte një plan u bë e mundur prangosja e tij.
26 – vjeçari është marrë në pyetje në Drejtorinë të Policisë së Vlorës. Ai ka pranuar autorësinë e krimit e Korrikut të 2013 në plazhin e Kalasë ku vrau Sokol Isufajn, Skerdi Bajlozin dhe Diana Ademin. Hajdaraj i ka thënë hetuesve se është penduar dhe se nuk ka dashur t’i vrasë duke shtuar se ka qënë shumë i ri, kur ka ndodhur ngjarja. Ai ka dëshmuar se kishte filluar të qëllojë në ajër dhe nuk e ka kuptuar se si i ka ikur arma nga duart.
Hajdaraj ka thënë se e ndihmonin të afërmit e tij për t’i sjellë ushqime dhe para dhe se ato pak herë që dilte nga shtëpitë e tij maskohej për të mos u njohur.
Delin Hajdaraj pritet të daë para gjykatës për t’u njohur me vendimin e Gjykatës së Vlorë, e cila e ka dënuar me burgim të përjetshëm. Për këtë ngjarje është dënuar me 35 vite burg edhe miku i tij Leo Osmani, i cili ishte bashkëpunëtor në këtë krim.
Tv Klan