Një vajzë e rrëmbyer në inkubator nga një maternitet i Floridës është gjetur e gjallë pas 18 vitesh nga policia e Karolinës së Jugut.
Kamiyah Mobley ishte marrë peng në korrik të vitit 1998, ndërkohë që autoritetet në Walterboro të Karolinës së Jugut arrestuan 51-vjeçaren Gloria Williams në lidhje me këtë rrëmbim.
Mobley jetonte tashmë me një emër të ri dhe besonte se Williams ishte nëna e saj biologjike, por menjëherë pas gjetjes së saj është njoftuar edhe familja biologjike e adoleshentes.
Zyra policore e Jacksonville njoftoi se testet e ADN-së konfirmuan identitetin real të Mobleyt. Ajo dukej në gjendje të mirë shëndetësore, apo siç e përshkruan autoritetet: një adoleshente normale 18-vjeçare.
Policia tha se kishte vepruar pas 2.500 njoftimesh që prej rrëmbimit të saj, por ajo që çoi në përfundimin e duhur ishte marrë vitin e kaluar nën hashtagun “MissingKids”.
Ky informacion shfaqte imazhet origjinale të publikuara në kohën e rrëmbimit, së bashku me një fotografi të Williamsit, e cila u arrestua në shtëpinë e saj mëngjesin e kësaj të premteje.
Edhe pse familja biologjike e saj është njoftuar, zyra policore e Jacksonville tha se “është në dorën e viktimës që të vendosë mbi mënyrën e kontakteve me ta. Kjo, sepse viktima tashmë është në moshë madhore”.