Kur kanë mbetur vetëm një muaj e gjysmë përpara se Trump të marrë zyrën në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur amerikan ka kërcënuar se do të anulojë marrëveshjen për blerjen e një modeli të ri avionësh nga kompania Boeing, të projektuar për t’u përdorur nga Presidentët e ardhshëm amerikanë. Shuma prej 4 miliardë dollarësh që do të paguhet për avionët e rinj është konsideruar nga Trump si e papranueshme. Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar se anulimi i akordit në këtë fazë është diçka e pamundur, duke qenë se ka nisur zbatimi i projektit.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të anulojë marrëveshjen për blerjen e disa avionëve të dizenjuar për Presidentët e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nga kompania Boeing, me argumentin se akordi është mjaft i kushtueshëm për qeverinë.
Palët kanë rënë dakord që kompania e mirënjohur të ndërtojë një model të ri avionësh në këmbim të 4 miliardë dollarëve, shumë e cila është konsideruar si e papranueshme nga ana e Donald Trump.
Ky i fundit e dha qëndrimin e tij nëpërmjet një postimi në rrjetin social twitter.
Në rast se marrëveshja do të shkojë sipas parashikimit, avionët e rinj Air Force One mund të hynin në përdorim në vitin 2024, gjë që do të thotë se Trump mund të mos kishte shansin për të udhëtuar me një prej tyre, edhe në rast se do të fitojë një mandat të dytë për të drejtuar Shtetet e Bashkuara.
Vetëm pak minuta pas deklaratës së Trump, vlera e aksioneve të Boeing në treg ranë me më shumë se 1%.
Megjithatë, ekspertët kanë paralajmëruar gjithashtu se anulimi i akordit mund të mos jetë aq i thjeshtë.
Ekspertët dhe inxhinierët e Boeing kanë nisur aktualisht punën për dizenjimin e avionëve.
Gjithashtu, në rast se do të ketë një prishje të paktit, kompanisë ajrore i lind në mënyrë legjitime e drejta për të përfituar pagesën, duke qenë se marrëveshja do të prishet në mënyrë të njëanshme.
Një tjetër, fakt interesant është se Trump nuk shquhet për një biznesmen që ka kursyer kur vjen puna tek avionët.
Ai edhe vetë ka në pronësi një Boeing 757 të personalizuar, i cili në treg kap vlerën e 100 milionë dollarëve.
Mjeti i tij fluturues është avioni i tetë më i shtrenjtë i planetit, ndërkohë që në një orë udhëtimi, kostoja e karburantit që ai djeg është 10.000 dollarë amerikanë./Ora/