Publikimi në “Facebook” i një video shpjeguese lidhur me rritjen e rrogave e pensioneve ka mjaftuar që kryeministri Edi Rama të përfshihet në replika me disa komentues në rrjetin social. “Rritja e mëtejshme e rrogave të punonjësve të policisë një garanci në rrugën e modernizimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit”, – shkruan Rama bashkëngjitur videos ku gjithashtu sqarohet se “në buxhetin e vitit 2017 mbi 100 milionë dollar nga arka e shtetit kanë kaluar në arkën e familjeve të punonjësve dhe pensionistëve. Nga të cilat 5.3 mln USD vetëm për rritjen e mëtejshme të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit”. Por në komentin e tij poshtë videos, një qytetar, duke iu drejtuar Ramës shprehet se sado t’ja u rritësh rrogat policëve ata prapë do vjedhin. Ndërsa një tjetër i kërkon që t’iu rritë rrogat edhe kamierëve. Në të dyja rastet përgjigjet e kryeministrit i “kanë lënë pa fjalë”.
Replikat e Ramës me komentuesit në “Facebook”
KOMENTUESI 1: Rrisni rrogën minimale, pensionet, ndihmën sociale invalidëve. Këta s’munden të jetojnë si njerëz Policët dhe infermierët e kanë të mjaftushme rrogën e prap do vjedhin qytetarët se janë mësuar.
EDI RAMA: Ervin, mbase s’e ke mendjen kur shikon e lexon dhe s’të ve faj në gjithë këtë lumë lajmesh e dizinformimi në rrjet! Por po të informoj që pensionet po rriten dhe është e para qeveri në 25 vjet që vendos pension social; rrogat e ulëta rriten 36%; ndihma ekonomike është rritur (dy deri trefish) dhe për atë që thua, “ata prap do vjedhin”, më vjen shumë keq të të them se është e turpshme! Është e turpshme të thuash që policët apo infermierët janë të gjithë hajdutë, sepse nëse ka të tillë dhe patjetër ka, kjo nuk do të thote aspak se shumica dërrmuese që jetojnë me punën e tyre të ndershme, të fyhen në këtë farë feje! Prandaj jo kështu, Ervin, nuk shkon fare!
KOMENTUESI 2: Z.Rama mos u bë ‘bad boy’ por na e rrit edhe ne kamariërve rrogën se s’na del as për cigare.
EDI RAMA: Qeveria nuk rrit rrogat e kamarierËve i dashur Elvis, por ajo çka mund të bëjë qeveria është ajo që kemi bërë: Kemi hequr taksën e sheshte dhe ti sot paguan shumë më pak, domethënë në xhep të mbetet më shumë, por cigaren duhet ta lesh urgjent./BW