Policia e Tiranës duket se e ka marrë seriozisht kontrollin dhe sigurinë në derbi. Sapo ultrasit bardheblu kanë filluar të futen në stadiumin “Selman Stërmasi”, me një kontroll të befasishëm, policia ka arritur të “çarmatosë” grupimin “Tirona Fanatics”.
Sipas informacioneve të para janë me qindra flakadanë të futur brenda stadiumit nga tifozët e Tiranës të cilët kishin planifikuar që t’i ndiznin në derbi. Kjo do të jetë një “koreografi” e munguar tashmë pasi këto mjete ndezëse kanë përfunduar në duart e policisë kryeqytetase.
Ndërkaq, mbështetësit e Partizanit kanë pritur për më shumë se një orë të hynin në tribunat që u ishin caktuar, pasi policia ushtroi kontroll të rreptë edhe ndaj tyre për të evituar futjen e flakadanëve apo mjeteve të tjera që mund të pengojnë zhvillimin normal të derbit./PanoramaSport