“News24” ka bërë publike detaje të reja mbi ekzekutimin e 34-vjeçarit në Fier, Nelgert Pata, ngjarje e ndodhur të dielën paradite. Nga informacionet e siguruara nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e ngjarjes është mësuar se, Pata kishte marrë masa ekstreme për t’u vetëmbrojtur.
Në hotelin ku qëndronte 34-vjeçari, Policia ka gjetur një automjet të blinduar që përdorej nga Pata për të lëvizur. Por, ekzekutimi i Patës ndodhi në një automjet tjetër tip “Volksvagen” që drejtohej nga Alinani, i cili mbeti i plagosur.
Ndërkohë, “News24” raporton se, brenda automjetit të blinduar janë gjetur dy kallashnikovë që Pata i mbante për t’u mbrojtur. Mjeti i blinduar dyshohet se është vjedhur në Vlorë.
Dëshmia
Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij 39-vjeçari, Ari Alinani ka deklaruar se nuk e njihte Patën, por vetëm ka qenë shoferi i tij në momentin kur ndodhi atentati. Ndërkohë, ai tashmë ndodhet i ndaluar nga policia.
Ndaj Alinanit rëndon akuza për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nelgert Pata, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt, (i shpallur në kërkim për vrasjen e Elton Çicës) i shpëtoi një tjetër atentati në 21 gusht në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, ku dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh.
Vrasja
Nga kryerja e veprimeve paraprake hetimore ka rezultuar se Nelgert Pata i ruhej një atentati të mundshëm dhe për këtë arsye ai është “shpërngulur” me banim në periferi të qytetit të Fierit. Por, përpjekjet e 34-vjeçarit kësaj here kanë dështuar, pasi dyshohet që atentatorët ta kenë ndjekur nga pas. Këta të fundit, pasi kanë mësuar hotelin ku rrinte Pata, kanë studiuar lëvizjet që kryente ai për të organizuar më pas vrasjen. Sipas burimeve të mësipërme, dyshohet se dy vrasësit kanë pasur edhe një bashkëpunëtor që ka qëndruar përballë hotelit.
Sapo 34-vjeçari ka dalë jashtë, autorët që qëndronin në një makinë të vjedhur tip “Mercedes”, janë sinjalizuar nga bashkëpunëtori i tyre, i cili u ka thënë se Pata ka hipur në makinën e tij “Volkswagen” dhe po shkonte drejt tyre. Dy breshëri kallashnikovi janë zbrazur 100 metra larg hotelit, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 gëzhoja. Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së hotelit ku rrinte viktima për të parë hyrje–daljet e tij, personat me të cilët ai shoqërohej si dhe individë të tjerë për të cilët mund të lindin dyshime. Njëra nga kamerat e sigurisë së hotelit ka fiksuar një fragment të skenës së krimit, por të dhënat nuk janë të mjaftueshme për rënien në gjurmët e vrasësve.
Ekspertët e çështjes kanë dyshime të arsyeshme se Nelgert Pata mund të jetë nxjerrë në pritë, pasi autorët kishin bërë planin për mënyrën e eliminimit të tij. Për këtë do të zbardhen tabulatet telefonike të viktimës për të verifikuar se me kë ka folur ai para se të dilte nga hoteli. Gjithashtu, nga hetimet e kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e së dielës ka rezultuar se makina me të cilën udhëtonte viktima nuk është e tij.