Kur ka mbetur edhe një ditë nga zgjedhjet presidenciale në Amerikë, të cilat si rrallëherë kanë kaluar nëpërmjet tensionit midis dy kandidatëve Trump dhe Clinton, përpos atij kuriozitetit se kë do të kemi President të SHBA-ve, një miliarder apo për herë të parë një grua, është me interes të zbulojmë edhe aktivitetin e disa personazheve që me vlerësimin e tyre çertifikojnë zgjedhjet nëse janë apo jo demokratike. Vetë fakti që këtë herë OSBE dhe ODHIR kanë dërguar në zgjedhjet presidenciale amerikane një ushtri me monitorues nga të gjitha vendet e botës për shkak të problematikës që ka shfaqur situata parazgjedhore, na bën të ndalemi te këta njerëz që zgjedhjet i kanë si “ushqim” edhe pse me diplomaci kur i pyet se sa para paguhen për të vwnw kokën në rrezik, thonë që janë mision vullnetar edhe pse në fund të fundit paguhen me dieta. Një ndër këta njerëz është edhe vëzhguesi ndërkombëtar shqiptar Gazmend Agaji, i cili nuk do ta besoni por ka qenë si monitorues në vendet më të çuditshme në botë; në vende në konflikt, gjysmë demokratike, apo totalitare, ku ka mbledhur eksperienca të ndryshme qoftë të mënyrës se si zhvillohen zgjedhjet por edhe se si përjetohet në këto vende dita e votimit; një miksim i mënyrës se si bëheshin zgjedhjet në Shqipëri gjatë regjimit totalitar por edhe sot. Të gjitha këto eksperienca Gazmend Agaj, gazetar, i diplomuar në Gjuhën Angleze në Universitetin e Tiranës, i cili tregon për Opinion.al me gazetarin Dritan Laci në intervistën e mëposhtme….
Nga Dritan LACI
Gazmend ju jeni tashmë një vëzhgues me eksperiencë në zgjedhjet ndërkombëtare. Kush janë zgjedhjet e para që keni mbuluar dhe si ka qenë kjo eksperiencë?
Kam nisur me vëzhgimin e zgjedhjeve këtu në Shqipëri me shoqatën për Kulturë Demokratike dhe koalicionin e vëzhguesve vendorë që në vitin 2000 dhe kam vëzhguar të gjitha zgjedhjet në Shqipëri. Ndërsa përsa i përket si vëzhgues ndërkombetar për herë të parë kam vëzhguar zgjedhjet presidenciale në Kazakistan në vitin 2005 me ENEMO. Më pas si vëzhgues afatgjatë në Ukrainë 2006. Që nga ajo kohë kam marrë pjesë rregullisht në misionet ndërkombëtare si vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë. Dua të theksoj se dy herë kam vezhguar me OSBE/ODIHR në Bullgari dhe së fundi në vitin 2014 zgjedhjet presidenciale në Turqi. Eksperienca ka qene e jashtëzakonshme sepse në këto vende që kam vëzhguar përveçse mëson sistemet zgjedhore të këtyre vendeve dhe si ekspert jep vlerësimin për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, por nga ana tjetër edhe mëson kultura të ndryshme dhe shkëmbime eksperiencash me të tjerë vëzhgues nga vendet anëtare të OSBE. Eksperiencë interesante kanë qenë misionet në Kyrgyzstan, Ukrainë, Gjeorgji si dhe në Turqi Në çdo vend që kam marrë pjesë si vëzhgues në Europë apo vendet e ish Bashkimit Sovjetik kane qenë eksperienca të veçanta jetësore duke mësuar edhe zakonet e këtyre shteteve
Më thatë që eksperienca e parë ka qenë Kazakistani. Çfarë kujtoni nga monitorimi i zgjedhjeve në këtë vend?
Në Kazakistan unë kam qenë vëzhgues afatshkurter dhe gjate ditës së votimeve situata ka qenë shumë e qetë. Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë vend ishte pjesëmarrja shumë e lartë në votime, ku gjithmone krijoheshin radhë të gjata me njerëz. Gjatë procesit të numërimit të votave gjithçka shkonte qetë dhe rezultati dilte brenda natës. Në hapje dhe në mbyllje të çdo qendre votimi vihej në sfond Himni Kombëtar. Nuk shikoje ndonjë komisioner që të ngrinte zërin apo të krijonte ankesa. Në disa qendra votimi në Aktau në Kazakistan më ka bërë pershtypje edhe atmosfera qe krijohej jashte qendrës së votimit me muzikë dhe orkestër. Mbase kjo ishte si traditë e tyre me rastin e votimeve dhe mua më kujtohej koha e komunizmit në Shqipëri ku dhe këtu festohej në ditën e votimeve. Por ajo që ishte më e habitshmja ishte se në dhomat zgjedhore kishte edhe një aneks ku gatuhej për komisionerët. Në çdo qendër votimi kishin dhoma gatimi. Kishin lënë dy veta që gatuanin për komisionierët. Në Kazakistan kujtoj po kështu se ishim katër vëzhgues, nga vende të ndryshme. Taksistët ishin rusë, burrë e grua. Të dy i jepnin makinës si burri dhe gruaja. Meqenëse taksia nuk na nxinte të gjithëve, burri u fut në bagazh ndërsa gruaja i dha makinës.
Ndërkohë që ju keni qenë monitories edhe në një vend si Kyrgystani, pothuaj i panjohur për shqiptarët. Edhe aty keni një eksperiencë goxha interesante….
Në Kyrgystan kam mbuluar zgjedhjet e vitit 2009. Në Bishkek në hotelin Dostik ku fjetëm më bëri përshtypje telefoni i dhomës që ishte me numra me rrotullim me gishta. Ndërkohë që në vitin 2009 ishte akoma në fuqi presidenti Bakiev. Gjatë kohës së lire që kisha dola në sheshin qendror dhe po tymosja cigare. Në këtë kohë më me thërrasin dy policë të cilët qëndronin në një kabinë dhe më thanë që do të gjobitesh sepse nuk lejohet të tymosësh në shesh. Unë në fakt nuk e dija dhe as e kisha vënë re që diku shkruhej në rusisht “Ndalohet Duhani” sepse në anglisht nuk ishte e shkruar. Donin të më vinin 25 dollarë gjobë. Arritën ta çonin gjobën deri në 15 dollarë. Ishin dy studentë turq që dinin gjuhën dhe më shpetuan nga gjoba. Unë kam qenë edhe dy herë të tjera në Kyrgystan në vitin 2010 dhe 2011, ku ishte hequr ligji mospirjes së duhanit në sheshin qendror të Bishkek.
Si zhvilloheshin zgjedhjet ne Kyrgistan nga ajo që vëzhgove?
Unë të trija heret kam qenë në zonën më të nxehtë në qytetin Osh, i dyti më i madh në jug të vendit. Mua, sapo dëgjonin që jam mysliman më respektonin shumë. Qendrat e votimit ishin nëpër shkolla por në kushte tejet të vështira. Ambientet ishin të ftohta. Tualetet ishin jashtë dhe nëse kishe nevoja personale do të të shoqetonte polici i qendres së votimit me elektrik dore. Ndërkohë që ajo që bënte përshtypje ishte se se jashte qendrave të votimit edhe këtu festohej me muzikë.
Madje këru kujtoj një moment interesant ndërs udhëtonim me avion. Po udhëtonim drej qytetit Osh me avion. Gjithë kohës avionit i kërcisin llamarinat. Sa që kur kemi zbritur, të gjithë pasagjerët duatrokitën, nga kënaqësia që zbritën pa probleme.
Në Kirgistan, muzika përfshihej në çmimin e supës. Njerëzit votonin në grupe. Ishin shumë të gëzuar dhe korrekt. Duke qene se kishte probleme më shumë me dokumentacionin e komisioneve, kryetari i komisionit më përcillte gjthmonë deri te dera. Më shikonte çfarë shkruaja. Më pyeste: “Është mirë? Kishte hall se mos unë shkruaja keq. Probleme ata kishin në mostrajnimin e komisionerëve. Ata kishin postera që orientonin votuesit dhe nuk i vendosnin. Nuk kishin shkruar protokollin e hapjes ose i kishin plotësuar me laps ndërkohë që duhej me stilolaps. Vetëm në Osh kam qëndruar katër ditë. Popullsia ishte shumë e varfër. Më bëri përshtypje lokalet. Çmimet ishin të larta. Në menu ishte ndryshe dhe çmimi vinte dyfish. I pyesja përse? Kjo është është tarifa për muzikën që dëgjon klienti, më thoshin.
Po përsa i përket procesit zgjedhor cilat ishin problemet që haseshin më së shumti?
Në fakt komisionerët ishin shumë miqësorë dhe shumë korrekt në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Problemet më të shpeshta haseshin në hapjen me vonesë të qendrave të votimit dhe mostrajnimit të komisionerëve të cilët nuk arrinin të plotësonin saktë protokollin e hapjes. Në fund numërimi i votave bëhej direkt në qendrën e votimit ku numërimi i votave mbaronte shpejt por ngatërroheshin në mbushjen e protokollit të mbylljes së numërimit të votave. Por dita e votimit ishte aq e qetë sa nuk e kuptoje nëse ka apo jo zgjedhje.
Midis eksperiencave zgjedhore ajo që ju ka lënë më shumë përshtypje është ajo në Ukrainë, një vend me trazira të shumta politike….
Në Ukrainë që nga viti 2006 dhe deri vitin 2015 kam vëzhguar çdo process zgjedhor që ka lidhje me zgjedhjet lokale, dhe kam qenë në disa qytete të Ukrainës. Në Ukrainë çdo qendër votimi ka 23 komisionerë dhe pothuajse janë të gjitha gra. Arsyeja kur i kam pyetur është se nuk besojnë shumë te burrat nga që pijnë shumë alkool. Dhe sipas tyre gratë janë më të kujdesshme në mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe më korrekte në kryerjen e detyrës. Madje në qendra votimi të mirëpresin mirë duke të qerasur me vodka. Fushata parazgjedhore në Ukrainë është pak e ashpër por në ditën e votimeve gjithçka shkon qetë. Pas largimit të presidentit Janukoviç në Ukrainë fushatat elektorale kanë qenë më të nxehta. Kemi krahun politik pro europian dhe krahun tjetër pro rus të cilet financohen indirekt nga rusia. Ka shume blerje vote, black PR si dhe kandidimi i shumë biznesmenëve të cilët kanë kompani private. Me ndryshimet e fundit në Ukrainë edhe ligji i zgjedhjeve është i paqartë. Në një takim, kryetari i gjykatës në Chernivtsi me tha se edhe ata që e kanë bërë ligjin e ri zgjedhor nuk e kanë të qartë se si e kanë bërë.
Por keni pasur edhe eksperienca të hidhura si ajo në Gjeorgji….
Në Gjeorgjin kam vëzhguar zgjedhjet Presidenciale të vitit 2008 dhe kam qenë monitorues në qytetin Kutaisi. Dita e votimit ishte kryesisht e qetë. Ndërsa kishte probleme në numerimin e votave. Në të njëjtën kohë u votonte edhe për anëtarësimin në NATO. Në numërim numëroheshin fillimisht zarfet dhe më pas fletët e votimit. Në qendrën që isha unë u fikën dritat dhe filluan të numëronin me qiri. Ndërkohë që jashtë kishte grumbullime njerëzish që kërkonin të futeshin brenda. Unë bashkë me kolegen dhe përkthyesen nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na zuri paniku sepse na njoftonin se kishte komisionerë të vrarë në qendra të tjera. Kemi ndenjur deri në 5 të mëngjesit dhe kemi ikur në bazë pasi morëm miratimin nga ekipi qendror në Tbilisi. Për mua kane qenë zgjedhjet më të vështira që kam monitoruar. Ndërkohë që kishte njerëz që godisnin qëndrën e votimit nga jashtë…. Kishte grumbullime njerëzish që godisnin derën. Ishin dy motra kryetare dhe nënkryetare të qendrës te cilat nuk e hapën deren. Por edhe pse votimi ishte I qetë, kishte manipulime të shumta në numërim.
Përsa u përket eksperiencave të fundit zgjedhore kë mund të kujtoni?
Dua të ndalem në Turqi. Në vitin 2014 isha vëzhgues afatgjatë me misionin ndërkombëtar të OSBE/ODIHR në zgjedhjet Presidenciale që u zhvilluan në Turqi, i përqendruar në Ankara. Kam vëzhguar bashkë me një koleg nga Suedia sepse jemi gjithmonë dy monitorues në vëzhgim Ishin zgjedhjet e para presidenciale në Turqi. Erdogan bëri një fushatë duke përdorur postin që kishte si kryeministër dhe administratën shtetërore në mitingje. Gjithashtu shtronte iftar për mbështetësit e tij sepse ishte muaj Ramazani. Në mitingun përmbyllës në Ankara më bëri përshtypje që gratë ishin më vete dhe burrat më vete. Kjo për shkak të traditës fetare që ka partia e Erdogan. Ne përfituam nga rasti që ishim vëzhgues të akredituar dhe mund të lëviznim lirshëm. Në takimet zyrtare që kishim turqit na qerasnin me çaj dhe shumë mikpritës. Ndërkohë që zgjedhjet e fundit që kam monitoruar kanë qenë vjet në muajin nëntor në Ukrainë për zgjedhjet lokale, ku isha në qytetin Summy.
Çfarë rreziku merr përsipër një monitorues në vende më probleme të tilla si Ukraina…
Kuptohet siguria është në plan të parë për një vëzhgues. Kur aplikon dhe shkon të monitorosh duhet të marrësh parasysh edhe situatat e vështira ku mund të gjindesh në vendet me rrezik ku po monitoron.
Ju keni qenë monitorues në Kosovë dhe në Shqipëri. Nga vendet ku ke monitoruar cilat janë problemet që i bashkojnë zgjedhjet shqiptare me to.
Tre herë kam qenë PR dhe analist i medias me misionin ENEMO në Kosovë, në vitet 2009, 2010 dhe 2013. Kosova ka probleme të njëjta si Shqipëria. Fyerje në fushatë si dhe votim familjar. Unë në të gjithë këto shtete që kam vëzhguar nuk kam parë ndonjë shtet që të zhvillojë zgjedhje si Shqipëria. Këtu ka militantizëm të dukshëm dhe fushatë të egër zgjedhore. Po ashtu edhe gjatë votimit dhe sidomos në numërim ka shumë manipulime dhe mashtrime zgjedhore. Këtu rezultati del pas një jave ose dhe më vonë. Në Shqipëri është një proces i stërzgjatur…
Jemi vetëm një ditë larg zgjedhjeve në Amerikë. Si monitorues ndërkombetar që mund t’ju cilësojmë si i shikoni këto zgjedhje, në pikëpamjen e mbarëvajtjes dhe fushatës që po zhvillohet?
Mendoj se janë zgjedhjet më të vështira dhe më të debatuara në spektrin ndërkombëtar. Kemi parë një fushatë të ashpër nga të dy kandidatët dhe me fyerje të shumta. Secili nga kandidatet përdor gabimet e kundërshtarit për të rritur numrin e votuesve. Po më duken si zgjedhje që zhvillohen në vendet në zhvillim dhe jo zgjedhje të një shteti që ka një demokraci të përparuar. Edhe pse më 8 nëntor votohet edhe për Kongresin amerikan gjithë fushata është e përqendruar te kandidatët për President. Përderisa OSBE/ODIHR ka dërguar një numër të madh vëzhguesish që të monitorojë ditën e votimeve mendoj se do ketë kontestime apo apelime pas përfundimit të procesit.
Në përfundim…Ne shqiptarët e kemi merak të dimë sa para paguhet dikush për punën që bën. Pyetja ime është: A jetohet mirë me punën e monitoruesit ndërkombëtar të zgjedhjeve?
Më shumë sesa ana ekonomike janë eksperiencat e reja dhe vizitat në vende të ndryshme si dhe njohja me kulturat e vendeve ku shkohet ajo që vlen. Puna e vëzhguesit ndërkombetar është vullnetare dhe merren dieta për të mbuluar shpenzimet. Por kuptohet që mund të kursesh dhe është disi një ndihmë e mirë ekonomike. Nuk mund ta fusim te puna apo profesion por nje kontribut që vëzhguesi jep për arritjen e standardeve të zgjedhjeve dhe zhvillimin e institucioneve demokratike në vendet që kanë mangësi në këtë drejtim. Për vëzhguesit që vijnë nga vendet perëndimore dhe me standart të lart jetese nuk është ndonjë pagesë që i stimulon, ndërsa për ata që vijnë nga vende të varfra si ne është disi më mirë.
Kjo vlen edhe për vendet në konflikte? Për sa para nuk do shkoje kurrë në një vend ku trazirat politike janë të theksuara?
Për vendet në konflikte mund të marrësh shtesë nëse konsiderohet vend në rrezik. Nuk do e diskutoja kurrë punën e parave në një vend me rrezikshmëri të lartë ose me trazira. Nëse do të ishte me shumë rrezik nuk do të aplikoja. Një rast të tillë e kam pasur para dy vitesh për në Irak dhe nuk aplikova. Kjo për arsye sigurie. Pastaj kjo varet edhe nga cila organizatë rekrutohem dhe sa siguri kanë për vëzhguesit në terren. Në Irak nuk isha shumë i sigurtë për shkallën e sigurisë sepse nuk kisha detaje për zonën ku do të shkoja të monitoroja. / Opinion.al