Një grup narko-trafiku, me 5 shqiptarë dhe një çift romësh është kapur nga policia italiane në Peskara. Mediat italiane bëjnë të ditur se operacioni i koduar “Paccoto” çoi në pranga disa anëtarë të bandës, emrat e të cilëve ende nuk bëhen të ditur.
Mësohet se 2 shqiptarë, kreu i bandës dhe njëri prej anëtarëve janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve, droga kryesisht heroinë, kokainë e marijuanë hynte në Itali përmes korrierëve shqiptarë, që e trafikonin nga Gjermania, Holanda e Shqipëria.
Më pas lënda narkotike transportohej me anë të automjeteve, të modifikuar posaçërisht për fshehjen e drogës. Bëhet e ditur se banda përfitonte mesatarisht 100 mijë euro në muaj nga trafikimi i drogës. Shumica e parave nisej cash drejt Shqipërisë me anë të autobusëve që bënin linjën Itali-Shqipëri.
Kjo bandë furnizonte çdo muaj me lëndë narkotike tregjet ilegale të drogës në rajonet e Abruzzos e Marche.