Një qytetar denoncon në “STOP” se Drejtori i DAR Devollit, Alban Fetolli lëviz me automjet me targa të falsifikuara. Në fakt, targa e tij DV 2486 A ka qenë e një opeli të bardhë, në pronësi të Driton Petro Muçit, i cili ka bërë çrregjistrim të përhershëm.
Gazetarja e “STOP” e ndjek zotin Fetolli nga banesa e tij e deri në Qendrën Shëndetësore të Kapshticës. Zyrtari lokal i arsimit thotë se nuk është makina e tij, por e të atit dhe nuk ka dijeni për targat dhe letrat.
Ndërkohë një patrullë policie zbret në terren, në kërkim të automjetit me targa false, por makina nuk gjendet në vendin ku ishte më herët.
Alban Fetolli ka qenë edhe në të shkuarën protagonist i emisionit investigativ “STOP”, ku në një tjetër denoncim shfaqeshin dokumente të falsifikuara të listës së notave, për të fituar vendin e punës.
Një drejtor si puna juaj me një makinë të tillë, është e jotja?
Është e babait dhe kjo nuk është e imja. Më falni, por jam për një vizitë mjekësore, kam bërë “check up” dhe do të marr përgjigjet sot.
Uroj të dalësh mirë, por ti nuk ke makinën tënde personale?
Jo!
Po pse?! Se ju jeni Drejtor dhe drejtorat në përgjithësi kanë pak më shumë mundësira.
Por çfarë të them unë?
Domethënë është e babait tuaj?
Po!
Çfarë vit prodhimi është?
Nuk e di!
Sa harxhon në përgjithësi për 100 km?
Nuk di ç’të them, nuk e kam matur me saktësi.
Ah se harrova Drejtor, këto targat a janë të sakta?
Nuk e di, babai e ka.
A mund t’i shikojmë pak dokumentet, në emër të kujt është automjeti?
I ka babai pra, dokumentet.
Po si lëvizni pa dokumente?
Këtu në fshat?
Po! Në fshat, në qytet kudo që lëvizni dokumentet duhet të jenë në makinë se mund të ndalojë postblloku i policisë, çfarë do t’i nxjerrësh ti? Apo kartën e Drejtorit?
Jo s’kam absolutisht kartë Drejtori.
Jo, në kuptimin që, në momentin që të ndalon policia, ti po thua që për momentin po lëviz pa letra, si ka mundësi?
Jo nuk është punë pa letrash, por makina është për momentin, me çfarë di unë, është në emër të babait dhe babai e ka mbyllur përkohësisht.
Si e ka mbyllur përkohësisht? Çfarë ka mbyllur?
Makinën!