Dy futbollistët e Gjermanisë U-19, Vitali Janelt dhe Idrisa Ture, janë përjashtuar nga ekipi kombëtar pas një thyerje tepër të rëndë disiplinore të kryer gjatë grumbullimit të tyre në Shqipëri, në kuadër të raundit të parë kualifikues të Kampionatit Europian 2017 për 19 vjeçarët.
Dy lojtarët të cilët janë pjesë edhe e akademisë së Lajpcigut në Bundesligë, sipas raportimit të mediave gjermane, kishin marrë nargjile në dhomën e hotelit ku ishin të grumbulluar. Nuk dihet se si Janelt dhe Ture kanë arritur ta sigurojnë atë, por në kohën që ata kanë lënë hotelin për të qënë prezent në ndeshjen Gjermani-Shqipëri të zhvilluar në “Selman Stërmasi”, e cila përfundoi me shifrat 3-2, e harruan të ndezur nargjilen në dhomë dhe kjo shkaktoi ndezjen e një zjarri.
Për fat punonjësit e hotelit e pikasën diçka të tillë dhe arritën ta kontrollonin zjarrin që të mos përhapej në dhomat e tjera. Një incident i tillë ka tërbuar trajnerin e kombëtares gjermane, Frank Kramer, i cili menjëherë pas ndeshjes i ka larguar futbollistët nga grumbullimi duke i kthyer më herët në Gjermani.
Futbollistët e kanë mohuar të kenë pasur faj për këtë incident të tillë duke pretenduar se ata as kishin tymosur nargjile dhe as që e kishin blerë diccka të tillë duke mos pasur dijeni se ka qënë në dhomën e tyre, por ky justifikim nuk është besuar nga askush. Edhe drejtori sportiv i Lajpcigut, Ralf Ranjik, i përjashtoi dy lojtarët nga akademia e skuadrës. Për më tepër ata u gjobitën dhe u dënuan me shërbim komuniteti në një kopsht fëmijësh.
Në ndeshjen e fundit të kualifikueseve, atë mes Gjermanisë U-19 dhe Irlandës U-19 të zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit dhe të fituar nga gjermanët me shifrat 4-0, dy futbollistët nuk ishin prezentë./panoramasport/