E kemi zakon dhe nuk e çrrënjosim dot lehtësisht: kur luan Kombëtarja, tifozë të ndryshëm futin në stadium fishekzjarre, tymues e shashka.
Përdorimi i tyre i ka kushtuar shtrenjtë Federatës Shqiptare të Futbollit, që vazhdon të paguajë gjoba të rënda dhe vetëm para pak ditësh u gjobit sërish, pavarësisht se ka bërë shpesh thirrje që të mos përdoren shashkat e fishekzjarret, që pengojnë zhvillimin normal të ndeshjes.
Historia u përsërit dhe në Vaduz, ku shumica e 6000 tifozëve të pranishëm ishin shqiptarë dhe si zakonisht, festimet tona shoqërohen me krisma.
Natyrisht, tani na pret gjoba e radhës, për të mos shkuar më tej, sepse herët a vonë UEFA do të na mbyllë dyert e stadiumeve.
Ndërkaq, portieri veteran i Lihtenshtejnit, Peter Jele, nuk e ka fshehur zemërimin e tij me tifozët shqiptarë, që në minutën e 72-të nisën të hidhnin shashka pas portës që ai mbronte.
“Ato gjëra janë shumë të zhurmshme, aq sa për minuta të tëra ndjeja fishkëllimë në veshë. Kjo nuk shkon dhe është shumë e rrezikshme. Edhe kameramani që ishte pas portës sime iku dhe nuk kishte guxim të kthehej më. Nëse do të më kishte ardhur ndonjë shashkë te veshët, nuk dua ta mendoj çfarë do të ndodhte. Skandaloze”.