Portieri i kombëtares shpresa të Shqipërisë dhe skuadrës së Lacios në Serinë A, Thoma Strakosha, ka fituar së fundmi vëmendjen e mediave italiane pas 3 ndeshjeve radhazi si titullar te skuadra e drejtuar nga Simone Inzagi. “Corriere Dello Sport” ka folur gjatë në një artikull për shqiptarin, teksa ka prekur temën e rinovimit të kontratës dhe faktit që ai nuk jeton ende në një shtëpi të tijën në Romë.
Rinovimi
Mbi tavolinën e rinovimeve të Lacios, kontrata e Strakoshës qëndron mes atyre të protagonistëve të tjerë. Portierit i skadon kontrata në vitin 2017, por drejtori sportiv Igli Tare ka gati propozimin e ri që do ta “blindonte” Strakoshën në Romë. Paraqitjet bindëse në 3 ndeshjet e tij të para si titullar në Serinë A, kanë bërë që për Strakoshën të përgatitet një kontratë 4 ose 5 vjeçare me shifra financiare të përmirësuara.
Tare beson shumë te portieri shqiptar, për më tepër që ka qënë ai që e afroi te Lacio disa vite më parë. Në verë shqiptarin e kërkoi Kardifi duke i ofruar një kontratë 3-vjeçare me shifra shumë të kënaqshme, por largimi i Berishës bëri që Lacio t’i besonte Thomait. Një ndryshim befasues në karrierën e Strakoshës, duke qënë se sezonin e shkuar ai qëndroi në stol te Salernitana në Serinë B, ku ishte i huazuar nga Lacio.
Shtëpia
Një fakt interesant për Strakoshën është se ai edhe pse po bëhet sa vjen dhe më i famshëm, nuk ka ndryshuar nga të qënurit një djalë i thjeshtë dhe shumë punëtor. Diçka të tillë e vërteton fakti që ai vazhdon të jetojë në ambientet e klubit dhe nuk ka zgjedhur të jetojë në shtëpi personale në Romë.