Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot deklarimin fajtorë të mjekëve Petrit Rexhepi dhe Elona Burba. Organi i akuzës gjithashtu kërkon dënimin e tyre me nga 5 vjet burg, njëkohësisht për mjekët u kërkua heqje e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë 5-vjeçare. Dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, të akuzuar për vdekjen e bashkëshortes së portierit të Partizanit, Alban Hoxha.
Dorjana Haka ndërroi jetë në nëntor të vitit 2015, pak ditë pasi kishte sjellë në jetë një fëmijë në një lindje me operacion. Të pandehurit në proces, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, akuzohen për “mjekim të pakujdesshëm” në lidhje me këtë rast. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, vdekja e 25 vjeçares Haka ka ardhur si pasojë e neglizhencës së mjekëve dhe moskryerjes prej tyre të analizave të nevojshme para dhe pas operacionit.
Pjesë nga akt-akuza e prokurorisë
Shkak i përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka ditën e dytë pas operacionit ka qenë tromboza totale e sinuseve kavernoze të trurit. Bazuar në të dhënat e përshkruara në kartelën klinike të repartit Obsetrik-Gjinekologjik të Spitalit “Koço Gliozheni” dhe të klinikës së Neurologjisë të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, pohoi prokurori, rezulton se shkaku i vdekjes së shtetases Dorjana Haka me mundësitë më të mëdha duhet të ketë qenë arresti kardiak, ndalimi i punës së zemrës.
Nga sa u parashtrua, rezulton e provuar se të pandehurit Petrit Rexhepi dhe Elona Burba kanë konsumuar elementet e veprës penale të ‘mjekimit të pakujdesshëm’, pasi sipas akt-ekspertimit dhe deklarimeve të marra, nuk kanë marrë masat e nevojshme para dhe pas operatore për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të shtetases Dorjana Haka, e cila më pas ka gjetur vdekjen.