Nga Edvin PRIFTI
Jo pak ngjarje kanë ndodhur ditët e fundit, nga më absurdet dhe të çuditshmet, po pa dyshim që ngjarja më e rëndë është humbja e jetës së një nëne të re së bashku me beben e saj të palindur. Një nënë shtatzënë përjeton dhe personifikon pikërisht momentin sublim të dhurimit të jetës dhe sigurisht kur ky proces ndërpritet, dhe për më tepër kur ka pasoja tragjike është tepër i dhimbshëm, jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë, pasi në fund të fundit vijmë në jetë për të lënë dikë pas nesh.
Në këtë kontekst, tragjikja e kësaj ngjarjeje të ndodhur disa ditë më parë në një nga spitalet e Tiranës është tepër e dhimbshme për këdo dhe sigurisht që, për më tepër, ne mjekëve duhet të na bëjë të mendojmë thellë dhe gjatë këtij meditimi të mundohemi të analizojmë ndodhinë dhe arsyet, të vendosim në funksion ligjet e mjekësisë që ne njohim, si dhe të panjohurat shkencore, larg britmave, çjerrjeve dhe thirrjeve të atyre që nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë, dhe për më tepër që sot bërtasin kush më shumë dhe kush më pak si dashnorët më të mëdhenj të jetës, paçka se asistojnë çdo ditë në mohimin që i bëhet asaj kur flitet për krimin, vrasjen, hakmarrjen, dhunimin, përdhunimin, trafikun.
Sigurisht që kur humbim dikë që duam, asnjë natyrë njerëzore nuk do ta pranonte me lehtësi këtë fakt dhe gjëja e parë që bën në mënyrën më instiktive është të gjejë fajtorin e radhës, dhe sigurisht kur bëhet fjalë për vdekjen që ndodh në spitale pa dyshim që “fajtori” është mjeku dhe më pas, kjo fjalë e thjeshtë fillon të perifrazohet duke dhënë edhe arsyet apo analizat mediokre të kryera në rrugë pa kurrfarë logjike profesionale e shkencore. Më ka ndodhur edhe mua që në momente dëshpërimi të ngrihesha dhe të thosha “mos vallë gabuan mjekët?”, “mos vallë duhet ta kisha çuar njeriun tim në një spital tjetër, apo në një vend tjetër?”.
Por a është kjo zgjidhja apo zgjedhja që duhet të bëjmë në këto momente? Mendoj që jo! Një nënë me fëmijën e saj vdiqën pas afërsisht 5 orë vuajtjesh dhe për më tepër pa një diagnozë deri në momentin e interventit. Sigurisht që vdekja e një nëne të re, për sa e dhimbshme, duhet të kuptohet që paraqet një ngjarje të kudondodhur, pavarësisht shkallës së zhvillimit të vendit dhe nivelit të sistemit shëndetësor. 830 gra vdesin çdo orë në botë gjatë lindjes. Vetëm në SHBA, vdekja e nënave shtatzënë në periudhën peripartuale është 1315 në 100.000 lindje të gjalla. Në vendet e komunitet europian varion nga 512 në 100.000 lindje të gjalla.
Pra, siç shikohen nga statistikat, është një fenomen i rrallë, por që ndodh në praktikën klinike dhe ku afërsisht 27% e tyre mund të parandaloheshin, thonë studimet e kryera. Shkaktarët kryesorë të vdekjes së nënës gjatë lindjes janë hemorragjia, infeksioni, presioni i lartë i gjakut, komplikacionet e lindjes dhe aborti. Ruptura spontane e shpretkës është tepër e rrallë dhe në përgjithësi ndodh në terren të aneurizmës së arteries splenike dhe më shpesh ndodh në kushtet e traumës. Por a mundet që kjo të ishte menduar dhe zbuluar. Sigurisht duke u thelluar në procesin e njohjes së simptomave dhe nëpërmjet ekzaminimeve do të bëhej e mundur, por shkalla e vështirësisë do të ishte shumë e madhe. Duke u kthyer në ngjarjen që ndodhi në Tiranë, kjo u ndoq nga ndalimi i dy kolegëve tanë me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm.
Tronditja e madhe që më kishte lënë fatkeqësia e mëparshme e pacientes u përndoq nga një e dytë. Nuk arrija dot të kuptoja dhe të besoja se çfarë mund të ketë kriminale në një mjek që në orën 4 të mëngjesit futet në sallën e operacionit dhe dy apo tri ditë më pas të përfundojë i ndaluar dhe i arrestuar, dhe për më tepër i përçmuar. A ka raste të tilla në botën e civilizuar, përveç rasteve kur mjeku kryen një akt kriminal të qëllimshëm, apo kur mjeku ka qenë neglizhent dhe nuk ka qenë prezent të japë ndihmën e asistencën e duhur, pavarësisht se ajo mund të jetë edhe jo e drejtë dhe e paaftë?!
Do t’ju lutesha të na jepnin raste të tilla kur mjeku është burgosur, pavarësisht dedikimit të tij kur pacienti nuk ia del dot të shpëtojë! Mjaftoi pak që histeria të përshkallëzohej në nivele të tilla që të fillonte procesi i linçimit dhe gjuetia e shtrigave të molepsura. Të kujt? Të mjekëve. Fajtori është i lehtë për t’u gjetur dhe për t’u goditur. Kriminelin e kemi aty përpara. Mjeku, pikërisht ai mjek që e priti të sëmurën, që mbase nuk arriti të bënte diagnozën e duhur por që mendoi ta çonte në një vend më të specializuar, dhe më pas e pranoi përsëri dhe kreu një operacion për t’i shpëtuar jetën asaj, një operacion që tek e fundit është fokus i kirurgut të përgjithshëm. Pra, në vend që të falënderoheshin për sakrificën sublime që kryen, u pështynë, u shanë, u poshtëruan, u linçuan, u konsideruan vrasës, emrat u përfolën, u hodhën në baltën e injorancës mbllaçitëse dhe nuk mjaftoi kjo por edhe u ndaluan, kërkohet 45 ditë burg që fatmirësisht nuk u pranua nga gjykata?! Nuk dua aspak të mbroj mjekët, të cilët për më tepër nuk i njoh personalisht, por asnjëri nuk mund të thotë që ata nuk donin ta ndihmonin apo ta trajtonin të sëmuren. Nuk di se si e mendojnë ata njerëz që sot u janë vërsulur mjekëve të tyre, që broçkullisin duke fyer dhe injoruar punën e tyre.
Por harrojnë të mjerët dhe dritëshkurtrit, dhe nuk kuptojnë që çdo vit qindra mjekë shqiptarë, të cilët nuk e suportojnë më këtë situatë, po largohen kryesisht në Gjermani dhe gjetiu (dhe për pacientin gjerman apo italian këta mjekë janë mjaft të mirë apo jo?), dhe ata mijëra të tjerë që prindërit i çuan të studiojnë mjekësinë në vendet europiane, tashmë nuk kthehen pasi idealet e rimodernizimit dhe rinovimit të mjekësisë sonë janë transformuar në përndjekjen dhe përçudnimin e figurës së mjekut, në ndjenja neveritëse të urrejtjes ndaj tij. Sigurisht po largohen, pasi ju do t’i keqtrajtoni, do t’i dhunoni dhe më pas do t’i burgosni dhe do t’i konsideroni si jashtëqitjen e kombit dhe do t’ju tregoni vendin në sektorët e riedukimit social.
Por çfarë kërkoni të bëni, “të ekzekutoni” mjekun shqiptar për të prodhuar çfarë? Të na ndaloni të gjithëve dhe më pas shqiptarët të zgjedhin mjekët e tyre më të mirë, t’i sjellin nga Amerika, Europa, Zimbabve apo Nigeria, dhe mbase i trajtojnë me sodë buke për të shëruar tumoret, sikurse ka ndodhur në vendin tonë. Ose më mirë të punësojnë disa priftërinj apo hoxhë, dhe t’i shërojnë me predikime dhe me këngët e tyre. Dhe këtë ta bëjmë në emër të drejtësisë, pasi kjo është bërë edhe e modës tashmë, çirren më së tepërmi duke harruar që janë ata vetë produkti i kësaj mjekësie, pasi të gjithë kemi lindur në ato maternitete dhe jemi trajtuar në po këto spitale dhe nga po këta mjekë, dhe nëse sot kanë fuqinë për të jetuar dhe arsyetuar pa dyshim që ka merita edhe ky sistemi ynë shëndetësor.
Kemi të drejtë të kritikojmë? Pa dyshim që po, kritika është motori i zhvillimit. Kemi të drejtë të kërkojmë më shumë? Patjetër që po, jemi një popull europian dhe meritojmë të trajtohemi si të tillë. Kemi të drejtë që mjekësia jonë të jetë e njësueshme me vende të tjera të Ballkanit? Pa dyshim që po! A duhet të revoltohemi kur ndodhin fatkeqësitë? Sigurisht që po! A ka paaftësi në sistemin tonë mjekësor? Shumë. A ka një rol e gjithë struktura edukuese mjekësore duke filluar nga Universiteti i Mjekësisë etj? Sigurisht që po! Por, nga ana tjetër, e gjitha kjo duhet të jetë e shoqëruar me një analizë të qartë dhe rrugëzgjidhjet e duhura. Ka nevojë për seriozitet dhe profesionalizëm nga ata që e marrin përsipër një detyrë të tillë.
Spitalet nuk janë parajsa e shërimit absolut, nuk janë as vendet ku sigurohet pavdekësia, janë vende ku tentohet shërimi, zgjatet sadopak jeta dhe ku ndodh edhe vdekja njerëzore, e rëndësishme është në ç’mënyrë dhe sa dinjitoze ndodh kjo! Mjekimi i pakujdesshëm ose gabimi mjekësor është një term, i cili në Shqipëri duhet të shikohet me kujdes. Gabimi mjekësor është shkaku i tretë i vdekjes në spitalet amerikane pas sëmundjeve tumorale dhe zemrës dhe, pa dyshim, që është i pranishëm edhe në Shqipëri.
Por në asnjë rast ky gabim mjekësor nuk trajtohet me prokurori, polici dhe me linçime përkundrazi, gabimi mjekësor i paqëllimshëm apo për shkak të mosnjohurive të duhura apo për mungesë të teknologjisë trajtohet vetëm administrativisht dhe profesionalisht me maksimumin heqjen e licencës së ushtrimit të profesionit dhe riedukimin profesional të mjekut. Gabimi mjekësor përkufizohet si një efekt negativ i parandalueshëm dhe përfshin diagnozë ose trajtim të gabuar. Errare humanum est, perseverare autem diabolicum – Të gabosh është njerëzore, të persistosh është djallëzore.
Rregullat e malpraktikës mjekësore variojnë nga vendi në vend dhe kostot e saj mbulohen nga asikuracionet profesionale. Në vitin 2016, në British Medical Journal, u referua që në SHBA, 251000 vdekje në vit ishin shkaktuar nga gabimi mjekësor në spitale kundrejt 611000 nga zemra dhe 585000 nga sëmundjet tumorale. Dhe në SHBA aktualisht janë aktivë afërsisht 550000 mjekë spitalorë. Pra, me një përllogaritje të përafërt, çdo mjek amerikan, një herë në dy vjet ka mundësi që të ketë shkaktuar një vdekje për shkak të gabimit të tij, vdekje e cila mund të ishte parandaluar. Por nëse gabimi mjekësor do të konsiderohej kriminal, atëherë çdo dy vjet SHBAja duhet të ndërronte të gjithë kastën e saj mjekësore spitalore.
Mbase kjo do të ishte një zgjidhje për Shqipërinë, sikurse shumëkush po e trumbeton me naivitet apo me keqdashje, të kryhet “vetingu” edhe në mjekësi dhe të zëvendësohemi të gjithë ne, me mjekë më të mirë dhe më të virtytshëm. Pa dyshim që nuk do të ndeshni as rezistencën më të vogël nga mjekët shqiptarë, nuk ka nevojë as për Kushtetutë dhe për asnjë ligj që të kërkojë konsensus, pasi keni konsensusin tonë. Bëjeni dhe mbase kjo do të ishte një e mirë e shtuar nga obskurantizimi intelektual që po i dhuroni vendit tuaj. Balzaku thotë që çdo mjek fatkeqësisht ka varrezën e vet, dhe do të shtoja që çdo mjek ka edhe vrasjet e tij të ndërgjegjes.
Mjeku shqiptar ju po shtoni edhe krematoriumin e tij individual. Vetëm neglizhenca në trajtim dhe veprimet kriminale mund të trajtohen kështu dhe duhet të konsiderohen si vepra penale. Dhe ky rast i ndodhur në Tiranë nuk duket t’i përkasë këtij versioni. Në një hark kohor prej 5 orësh, mjekët në tri spitale të distancuar nga njëritjetri u munduan të gjenin diagnozën dhe zgjidhjen përkatëse që në këtë rast, mesa rezultoi, nuk ishte e duhura. Por çfarë, t’i burgosim, t’i trajtojmë si fecet e shoqërisë pse në orën 4 të mëngjesit u futen në sallë të operacionit për tentativën e fundit.
Dhe kur me mendjen e tyre të fokusuar dhe me duart brenda trupit të pacientes pa dyshim që nuk mendonin se ç’do t’i gjente të nesërmen. Po mendonin të jepnin jetë aty ku s’kishte më dhe jam i sigurt që, ndërkohë, qortonin dhe mallkonin veten e tyre se çfarë kishin bërë gabim, nëse duhet të kishin bërë diçka më shumë, dhe ndërkohë shihnin presionin e gjakut që binte dhe jeta që shuhej. Dhe sigurisht asnjë nuk mori kurajën të vëzhgonte, të gjykonte nëse kishte trauma në trupin e pacientes apo jo, pasi po luftonin për jetën dhe për të mirën. Por histeria kolektive po i priste përjashta duke përgatitur sorollopin mediatik të radhës.
Mjekët kriminelë, të ligë, të korruptuar, të paaftë, maskarenj e ku ta di tjetër se çfarë! Urime për krimin e radhës shoqëri shqiptare që ndërmore ndaj bijve të tu. E ke bërë shpesh dhe do vazhdosh ta bësh deri sa të kuptosh që linçimi i më të mirëve të ka çuar në varfërinë shpirtërore dhe intelektuale ku ti shoqëri shqiptare tashmë ke përfunduar. Në përfundim, doja të shtoja dhe të kujtoja që mjekët shqiptarë janë bijtë tuaj, janë bijtë e këtij populli dhe përfaqësojnë as më shumë dhe as më pak këtë popull, me të mirat dhe të këqijat e tij, me bukurinë dhe shëmtinë e tij, me qytetarinë apo katundarinë e tij. Pa dyshim që, siç ka fenomene negative në shoqërinë shqiptare, vrasje, trafiqe, krime, injorancë, dhunë dhe varfëri, këto transmetohen po ashtu edhe midis nesh mjekëve dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
Por pavarësisht kësaj, ju garantoj për një gjë, edhe më i keqi ndër ne, edhe më i korruptuari dhe i paafti ndër ne, qëndron shumë më lartë se ata që, duke rrufitur kafetë në baret luksoze apo duke shijuar verat e shtrenjta në pubet e Tiranës, nën hijen e dembelizmit gjymtojnë shoqërinë dhe sjellin përçarjen e saj me opinionet e tyre. Ju garantoj që shëmtia dhe pelerina e ndyrë me të cilën po na mbuloni është shumë më e bukur dhe më e pastër se sa këmishat dhe kollaret e pastra të mediokritetit dhe hipokrizisë, dhe po ju, në momente të vështira do të vini te ne, dhe ne përsëri do t’ju trajtojmë dhe mjekojmë me po të njëjtat mundësi dhe dije që kemi, pasi nuk e njohim urrejtjen, njohim vetëm luftën me vdekjen, të cilën shpesh e fitojmë, ndërkohë që me llomotitjet tuaja nuk mundet të na sillni vetëm përçartje.
Sigurisht nuk do të harrojmë, por nuk do të urrejmë, pasi vëmendja jonë është në luftën ndaj dhembjes dhe vdekjes. Kalorësi i Zi është atje, përtej, dhe midis tij dhe jush jemi vetëm ne, dhe mendja jonë duhet të jetë e fokusuar vetëm atje. Ju lutemi na ndihmoni, mos na shpërqendroni, na lejoni të bëjmë atë që bëjmë më mirë, na ndihmoni me gjithçka ju keni. Me çfarë? Me shumë gjëra po të donit ju populli im. Mjekësia është dedikim, pasion, është teknologji dhe financim. Po si mundet të mendojmë për mjekësi multidisiplinare, të profilizuar dhe të përqendruar, me forma kompeticioni, dhe aplikacione moderne të terapive deri në trapiantologji, qeliza staminale e organe artificiale kur Shqipëria harxhon vetëm 130 USD për njeri në vit për shëndetësinë dhe këtu përfshihen ilaçet, edukimi shëndetësor, vaksinat, parandalimi, mjekë sia e familjes, dhe më tej spitalet kundrejt 3300 USD në Itali, 5000 në Gjermani dhe 9200 në SHBA? Sigurisht që ne do të kemi një sistem më të mirë shëndetësor nëse do të financohej më shumë, nëse do të ishim më të pasur, dhe kjo nëse ju do të punonit më shumë dhe nëse do të investohej më shumë në shëndetësi.
Cilësia nuk mund të vijë pa teknologji të reja. Sigurisht që duhet të kemi një mjekësi të fokusuar te njeriu, pra një mjekësi, e cila të ketë të absorbuar humanizmin si filozofi brenda saj, por po ky humanizëm duhet të jetë pjesë përbërëse e moralit të shoqërisë sonë, përndryshe nuk do të kishte kuptim, pra gjithsecili, politika, media, shoqëria civile duhet të jetë humane. Pa dyshim që mjekët janë humanë, pasi humanizmi si një rrymë filozofike është identiteti i induktuar te çdo qenie njerëzore, dhe mjeku si njeri që është, pa dyshim që është human dhe e vendos njeriun në qendër të vëmendjes së tij, por, nga ana tjetër, është edhe profesionist dhe si i tillë duhet të mendojë dhe të veprojë në çdo moment të aktivitetit të tij profesional.
Çdo shkarje nga kjo komprometon punën e tij dhe për më tepër do të rezultonte në një trajtim joadekuat ndaj pacientit. Sigurisht është në dorën tuaj t’i linçoni mjekët tuaj, është në dorën tuaj t’i burgosni dhe t’i dhunoni apo edhe t’i zboni ata me shpresë që t’i zëvendë soni me më të mirë për të trajtuar familjet tuaja, por ju lutem mos tentoni që dinjitetin të na e nëpërkëmbni. Gabimi të gjendet dhe të evidentohet dhe nëse ekziston të merren përgjegjësitë. Në këtë mënyrë, ne do të bëhemi më njerëzorë, dhe do t’i përgjigjeshim agresivitetit të vdekjes, e cila mori një nënë të re dhe fëmijën e saj disa ditë më parë, me butësinë dhe dashamirësinë tonë, pasi të tillë duhet të jemi ne, duhet të jemi njerëz që e duam njëritjetrin dhe për më tepër i duam gardianët tanë të palodhur të mjekësisë, të cilët i pranojmë edhe me gabimet dhe të këqijat e tyre.
Mbase do të reagoni keq kur të lexoni këto reshta, mbase do të ngriheni dhe ç’nuk do të thoni edhe për mua, edhe për kolegët e mi, do të shkruani blogje dhe komente, por s’ka gjë, bëjeni, nëse kjo do t’ju sjellë sadopak shëndet dhe do t’ju zgjasë jetën apo do t’ju japë mundësi të shfryheni nga pakënaqësitë e akumuluara. Unë përsëri do t’ju vështroj ju, ato mijëra që operova dhe shpëtuan, si dhe familjet e atyre që nuk mundën t’ia dalin dot, mbase edhe për gabimin tim që nuk isha aq i aftë?!
Do të qëndrojmë miqtë e mi, në kufirin midis vdekjes dhe jetës, aty ku ne kemi vendin tonë, aty ku bëhet edhe lufta jonë, se kjo është detyra jonë, edhe pse ju mund të mos na doni për momentin, edhe pse mendoni se gabimi është te ne, por shpejt do të kuptoni që mjekët shqiptarë janë pjesë e juaja, janë gardianët dhe luftëtarët tuaj të jetës, pavarësisht se jemi po aq të shëmtuar apo të bukur, po aq të deformuar apo të drejtë, po aq të sinqertë dhe hipokritë sa edhe Ju të gjithë. Non sibi sed omnibus, Vis et Dignitas in omnis – Jo për veten por për të gjithë, forcë dhe dinjitet për ne.
*Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT