Ilir Shala u nis me aeroplan për në vendin e tij të lindjes dy ditë më parë nga Gjermania, sëbashku me gruan dhe fëmijët e tij. Ai kishte shkuar në Greven gjatë Vitit të Ri 2014, për të kërkuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Por edhe pse kishte shfaqur shenja të sëmundjes, ai është dëbuar në Shqipëri dhe nuk ka përfituar nga ndihma mjekësore gjermane.
Kjo është historia e Ilirit, të cilit nuk iu miratua kërkesa e azilit.
Sipas mediave gjermane, që kanë publikuar historinë e shqiptarit që e quajnë të pafat, Shqipëria konsiderohet një vend i sigurt dhe kështu azili nuk i miratohet shtetasve të saj. Iliri qëndroi në Gjermani, sepse kishte probleme shëndetësore.
Ai ishte i varfër në vendin e lindjes, Shqipëri dhe nuk kishte mundësi ekonomike. Shala ka probleme me kockat, ka lëvizshmëri të kufizuar dhe nuk mund të ecë siç duhet.
Edhe mjekët gjermanë e kanë diagnostifikuar me sëmundje dhe shqiptari nuk ka gënjyer për të përfituar azil. Por fati i tij i keq e do që ai të kthehet në vendlindje.
Operacioni i tij kushtonte rreth 7.500 euro, por askush nuk e ndihmonte për shkak të procedurave burokratike, pasi ndërhyrja kirurgjikale nuk mund të bëhej pa pagesë.