Të kthehesh fëmijë për një natë të vetme sot është e mundur. Në qytezën e Consonno, në provincën e Lecco, në Itali, më datat 3-4 shtator do të zhvillohet edicioni i 7-të i Kampionatit Botëror të lojës “Kukafshehtasi”. Në këtë turne kanë konfirmuar praninë e tyre 64 skuadra nga e gjithë bota, që do të sfidojnë njëra-tjetrën në rrënojat e një qyteze të braktisur, në veri të Italisë. Në vitin 1968, në këtë qytezë u inaugurua një “Las Vegas i dytë”, me hotele, restorante dhe ndërtesa të kulturave të ndryshme, madje edhe një kështjellë. Por në vitin 1976, një rrëshqitje dheu bllokoi rrugën që të çonte në këtë qytet, që u braktis dhe sot qyteza e Consonno quhet si “qyteti fantazmë”, pasi aty nuk banon më njeri.
Por ja që aty do të organizohet këtë vit Botërori i lojës “Kukafshetasi” (syllambyllurazi siç njihet në Shqipëri), një vend ideal për t’u fshehur. Këtë vit arrihet rekordi i 64 skuadrave, shumica e të cilave nga Italia, të përbëra nga 5 persona. Nga 64 ekipe, në finale do të kualifikohen 20. Pak muaj më parë ky sport u mendua të kthehej edhe në sport olimpik, madje u tentua që të hynte në Lojërat Olimpike të vitit 2020, në Tokio. Është një disiplinë që, sipas rregullave të lojës, kërkon shpejtësi (vrap), ekuilibër dhe të qëndrosh pa lëvizur për minuta të tjera, por edhe intuitë, strategji e bashkëpunim.