Angazhimi i qeverisë për të përmirësuar këtë vit ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve është drejt dështimit te plotë.
Këshilli i Ministrave ka bërë publik progresraportin e ecurisë së projekteve vjetore te 2016 ku shihet se, ato që i dedikohen shërbimeve publik kanë ngecur në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë Kryeministria shihet se projekti për përmirësimin e kanaleve të informimit të qytetarëve për shërbimet publike është realizuar zero për qind, teksa afati për finalizimin e këtij projekti ishte fundi i shkurtit të këtij viti.
Gjithashtu shihet se ka dështuar plotësisht edhe projekti për standardizimin e ofrimit të shërbimeve publike. Ky projekt i cili duhet të kishte përfunduar me 2 qershor 2016 ka bërë zero progres, raporton Kryeministria.
Qeveria është duke shkuar drejt dështimit edhe për ngritjen e qendrës One Stop Shop për mbi 300 shërbime. Ky projekt që është programuar të finalizohej në 30 dhjetor 2016, ka bërë zero progres deri në fund të qershorit.
Projekti i vetëm në të cilin është bërë progres është shtimi i shërbimeve elektronike ne portalin qeveritar ealbania. Ky projekt i cili ka një afat kompletimi fundin e këtij viti është realizuar në masën 57 për qind deri në fund të qershorit. Këtë vit është miratuar ligji i ri për mënyrën e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Ligji merr në konsideratë krijimin e ADISA ( Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të integruara) në varësi të ministrit të Shtetit për inovacionin dhe Administratën Publike.
Misioni i kësaj agjencie është ofrimin e shërbimeve publike nëpërmjet ngritjes dhe administrimit të sporteleve pritëse për qytetarët (front office) si dhe qendrave të shërbimeve publike të integruara me një ndalesë (onestopshop) për shërbimet që kryhen nga institucionet dhe agjencitë e qeverisë qendrore dhe/ose të njësive të qeverisjes vendore sipas legjislacionit në fuqi ose marrëveshjeve përkatëse.
Monitor