Shkencëtarët kanë filluar të prodhojnë violina duke përdorur mëndafshin e merimangave dhe ata thonë se telat me tre fije mund të kenë një efekt të madh në tingujt e instrumentit. Sipas ekipit që ka prodhuar violinën, mëndafshi i merimangës u krijon atyre mundësinë për prodhuar tinguj që i përshtatet me saktësi dëshirave të muzikantëve.
Ndryshe nga violinat e famshme Stradivari, madje edhe nga ato të zakonshmet, këto violina nuk janë prodhuar nga druri, por me mëndafsh dhe rrëshirë. Johanna Bernard dhe Helena Szwoch nga Kolegji Mbretëror i Artit janë duke bërë prova me këto violina.
Prodhuesi i violinës është inxhinieri i diplomuar nga Kolegji Mbretëror i Londrës, Luca Allessandrini.
“Mëndafshi i mermangës ka vetinë të marrë ndoshta ritmin më të lartë të shpejtësisë që unë kam parë ndonjëherë. Kjo ndodh për shkak të elasticitetit të lartë dhe dendësisë së vogël të këtij materiali.”
Shtatëdhjetë përqind e materialit të instrumentit është mëndafsh dhe tridhjetë përqind rrëshirë.
Sipas zotit Alessandrini ky është një material që mund t’ja kalojë edhe fibrave të karbonit për vetitë që ka. Ai thotë se zgjodhi të prodhojë me të violinën pasi ajo ka një histori tradicionale të njohur artizanati.
Prodhuesit dhe riparuesit e violinave vazhdojnë ta kenë bazën në Itali, në qytetin e Kremonës, ku Antonio Stradivari prodhoi instrumentet e tij, që u bënë të njohuara në mbarë botë. Luca Allessandrini studjoi pikërisht traditën e Stradivarit, kur vendosi ta prodhonte violinat e tij.
Nëse shikoni nga afër violinat, mund të shihni tre fije të ngjitura në trupin e violinës, këto janë prodhuar nga mendafshi i merimangës. Ato janë 35 centimetra të gjata dhe shtrihen përgjatë trupit të violinës.
Studimet tashmë kanë treguar se përveç fortësisë dhe elasticitetit, rrjetat e merimangës kanë edhe veti elektrostatike.
Luca Allessandrini thotë se prodhuesit e violinës në Kremona u habitën nga rezultati që panë.
“Unë u kërkova atyre të krahasonin dy instrumente dhe mendimi i përgjithshëm ishte se instrumenti i dyti tingëllonte më mirë.”
Johanna Bernard, që bëri prova me violinën e prodhuar nga mëndafshi i merimangës është e bindur se ka një diferencë të dallueshme në akustikën e saj.
“Mendoj se kjo është një alternativë mjaft e mirë, sepse është më e lehtë se sa violina ime prej druri. Por në përgjithësi, unë do të preferoja përdorja violinën time prej druri, sepse ajo ka një tingull më të fuqishëm.”
Por qëllimi i inxhinierëve në shfrytëzimin e mëndafshit të merimangës nuk është prodhimi i violinave.
“Ndryshimi i strukturës së brendshme të materialit, bën që ai të krijojë tingull të ndryshëm. Pra, qëllimi i projektit tim ishte për të treguar se është e mundur të prodhohen materiale që krijojnë tinguj të ndryshëm, duke ndryshuar strukturën e tyre të brendshme përmes përdorimit të fibrave. Pra, këto dy violina, në njëfarë mënyre janë dëshmi e këtij konceptit. Qëllimi im nuk ishte prodhimi i violinave të mira, por krijimi i një teknike të prodhimit që mund të zbatohet për produkte të tjera, si altoparlantët dhe amplifikatorët”.
Luca Allesandrini shpreson se ky është vetëm fillimi i zbulimeve që mund të revolucionarizojnë industritë që lidhen me prodhimin e objekteve të akustikës, si dhe të nxisë shtimin e përdorimit të materialeve bio-inxhinierike./VOA