Ekziston mundësia që kërkimet e aeroplanit të Malaysia Airlines – fluturimit MH370 që u zhduk në mars të vitit 2014 – të jenë bërë në hapësirat e gabuara.
Independent shkruan se ekspertët përfshijnë mundësinë që aeroplani para fatkeqësisë të ketë rrëshqitur njëherë në ajër e pastaj në sipërfaqen e detit, duke shkuar kështu përtej zonës së kërkimit. Nëse merret parasysh teoria e re, kjo do të thotë se ekipi i ekspertëve ka kërkuar në pjesë të gabuar të Oqeanit Indian.
Kërkuesit e udhëhequr nga ekipi FUGRO, deri më tani a kërkuar zonën prej 120 mijë kilometrave katrorë në brigjet e Australisë Perëndimore. Por, tani ata thonë se aeroplani mund të ketë rrëshqitur para se të zhdukej në oqean, pra se nuk ra vertikalisht në det, transmeton Telegrafi.
Aeroplani i Malajzisë, u zhduk në një fluturim nga Kuala Lumpur në Pekin, me 239 pasagjerë dhe ekuipazh në bord, më 8 mars 2014. Deri tash u gjet veç një copëz që flet për këtë rast. Fjala është për një pjesë të krahëve të gjetur në ishullin Reunion, afro 2.500 milje në perëndim të zonës së kontrolluar.
“Nëse nuk është këtu, do të thotë është diku tjetër”, ka thënë drejtori i projektit FUGRO, Paul Kennedy. “Nëse piloti në momentet kritike ka menaxhuar me të, atëherë ka rrëshqitur shumë më larg vendit ku kemi kërkuar”.
Ai thotë se një pilot me përvojë mund ta rrëshqas një Boeing 777 për rreth 120 milje kur mbetet pa karburante.
Megjithatë, çdo hetim i mëtejshëm do të kërkojë fonde të reja nga tri qeveri: kineze, australiane dhe ajo e Malajzisë. Kërkimi deri më tani ka kushtuar rreth 137 milionë dollarë amerikanë, duke e bërë atë më të shtrenjtën në histori.
Qeveritë e tri vendeve më parë ranë dakord për të mbyllur zyrtarisht kërkimin nëse nuk ka asnjë provë të fortë për të. Nëse në tre muajt e ardhshëm nuk do të gjendet asnjë provë e tillë, hetimi do të përfundojë zyrtarisht. /Telegrafi