Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Arjan Aliaj u paraqit dje në Prokurorinë e Përgjithshme, ku dha deklarime për llogari të hetimit të nisur pas kallëzimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Aliaj është gjyqtari që u sulmua publikisht nga Tahiri, pas vendimit të tij për pezullim nga detyra të kreut e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe lënies në “arrest shtëpie” dy vartës të tij, për hetimin e pajisjes përgjuese “IMSI CATCHER”.
Në kallëzimin e saj, KLD-ja pretendon se këto deklarata kanë qenë fyese dhe kanosëse për gjyqtarin Aliaj. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë me dije se para prokurorëve të çështjes, Aliaj ka sqaruar se nuk ndihet i kanosur nga ministri i Brendshëm Tahiri.
“Jam gjyqtar i Gjykatës së Tiranës. Nuk e njoh ministrin e Brendshëm dhe nuk ndihem i kanosur prej tij”, mësohet të jetë shprehur gjyqtari. Duke iu
referuar vendimeve të firmosura prej tij për zyrtarët e Policisë, gjyqtari ka pohuar se ka dhënë një vendim të drejtë, të bazuar në prova dhe fakte.
Gjyqtari Aliaj qëndroi gati 40 minuta në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjashtë ditë më parë prokurorët që po hetojnë kallëzimin e KLD-së morën në pyetje ministrin Tahiri.
Pas dhënies së deklarimeve, Tahiri i sqaroi jashtë Prokurorisë se i kishte qëndruar të gjitha deklaratave të mëparshme për gjyqtarin Aliaj dhe
gjyqësorin në përgjithësi.
“Sqarova në Prokurori që u qëndroj pikë për presje të gjitha deklaratave që kam bërë. Sepse unë besoj se ka shumë nevojë për të parë në detaje
dhe në mënyrë shumë të imët punën e çdo gjyqtari, pavarësisht vullnetit që kemi ne për të zbatuar vendimet e tyre. Nuk më ndalon askush që të jap
opinionet dhe vlerësimet e mia mbi vendime absurde gjykatash dhe gjyqtarësh që në atë detyrë janë për shkak të qokave politike dhe shërbimit që bëjnë ndaj gjithë atyre që sot kanë kapur drejtësinë”, tha Tahiri.