Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka theksuar në Opinion se LSI është në koalicion me PS dhe do vazhdojë të jetë deri në zgjedhjet e 2017-ës.
Meta, bëri me dije, se LSI nuk do paraqesë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Rama.
Ai tha se nuk ka arsye pse të ndodhë kjo, pasi gjuha e përbashkët mes palëve po shkon në rrugën e një historie suksesi.
Kreu i Kuvendit la të kuptojë se kjo reformë është një sukses e të gjitha paleve, si dhe theksoi se PD ka shprehur vullnetin e saj për ta kaluar këtë ngërç në lidhje me reformën në drejtësi.
“Unë kam vetëm një shqetësim, e kam pasur që nga fillimi, nëse reforma nuk do realizohet i gjithë procesi i integrimit do të rrezikohej. Votimi I reformës në një mënyrë të njëanshme nuk do të ishte një reformë e besueshme.
Realisht, topi në këtë rast do na mbetej të gjithëve, nëse nuk do votohej, pasi Reforma do jetë një produkt i të gjithëve si dhe një histori suksesi për të gjithë aktorët që fillim.
I pyetur nga gazetari, Blendi Fevziu nëse LSI do të votojë reformën me datë 21 korrik. Kreu i Kuvendit është shprehur se është gjetur gjuha e përbashkët, për të arritur në konsensus mes palëve.
Meta: Po, me datë 21 korrik drafti do të votohet.
Fevziu: Z.Meta ju keni frikë nga Reforma në Drejtësi?
Ta keni të sigurtë se jam më i qetë se kushdo tjetër për reformën në drejtësi, së dyti LSI për integrimin e vendit nuk ka pas asnjë arsye për të mbajtur sistemin të pa ndryshuar, si dhe nuk ka asnjë arsye për të kapur sistemin që do vijë.
I vetmi shqetësim i yni është vetëm stabiliteti i vendit. Në këtë rast, është e rëndësishme që kjo sjellje e jona nuk duhet të delegjitimojë institucionet e vendit”.