Vetëm pak përpara sulmit vdekjeprurës në Nice, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy kishte kritikuar qeverinë se nuk po bënte gjithçka mundej për të ofruar siguri. Kreu opozitar i qendrës së djathtë bëri thirrje që çdo shtetas i huaj me lidhje me islamizmin radikal të dëbohej nga Franca.
Më shumë se 80 persona humbën jetën kur një ekstremist drejtoi kamionin e marrë me qira drejt turmës së njerëzve që kishin dalë të festonin Ditën e Bastijës, gjatë mbrëmjes së të enjtes. Plot 85 të tjerë mbeten në spital, prej të cilëve 18 janë në gjendje kritike për jetën.
Shumë të mbijetuar janë ende në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre, pasi deri më tani janë identifikuar vetëm 35 prej viktimave. Prokurorët thonë se nevojiten masa tepër të përpikta për të shmangur gabimet në identifikimin e tyre.
Ndërkohë, duke folur për një televizion francez, Sarkozy tha se “demokracia nuk duhet të jetë e dobët, as thjesht përkujtuese. Në demokraci duhet të thuhet ‘ne do ta fitojmë luftën’”. Ai shtoi se mbështet masat e ashpra siç janë dëbimi i myslimanëve të radikalizuar, si dhe matrikullimi elektronik i atyre që rrezikojnë të radikalizohen.
Qeveria e Francës në fakt ka deklaruar se është në luftë me xhihadistët e dhunshëm. Por, sulmi i tretë masiv në vetëm 18 muaj ka nxitur kritika të shumta ndaj udhëheqësve të vendit.
Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se agresori i Nicës, Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, ishte një xhihadist. Fqinjët e përshkruajnë atë si një njeri të dhunshëm që i pëlqente pija, ngrinte pesha të rënda dhe frekuentonte sallat e kërcimit “salsa”.
Por, kryeministri i Francës Manuel Valls ka sugjeruar se ai mund të jetë radikalizuar shumë shpejt, mjaftueshëm sa për të mos tërhequr vëmendjen e autoriteteve. Ai u qëllua për vdekje vetëm pasi “rrugëtimi” vdekjeprurës i kamionit të tij përgjatë “Promenade des Anglais” thuajse ishte ndalur. Media franceze raporton se ai kishte kryer kërkime mbi këtë rrugë, ditë përpara sulmit. Madje, Lahouaiej-Bouhlel kishte kaluar me makinë përgjatë bregdetit në këtë shesh të Nices të martën dhe të mërkurën, si për të kryer përgatitjet.