Donald Braho dhe Ergys Zhabjku sjellin projektin “Hmmm!” si provokimin e tyre të radhës. Opinion.al sjell detajet.
Donald Braho, regjisor i ri i njohur për punën e tij në disa videoklipe të suksesshme, dhe fotografi ambicioz Ergys Zhabjaku, i njohur për portretet e Sara Kapo të bëra për revistën ICON, së fundmi kanë bashkuar forcat për të realizuar një foto projekt që simbolikisht, por jo pa qëllim, është titulluar “Hmmm!”. Konceptin e projektit e ka zhvilluar vetë Donaldi, që po ashtu ka bërë edhe përzgjedhjen e veshjeve, ndërkaq Ergysi thjesht ka bërë atë që di ta bëjë më së miri: i ka dhënë jetë dhe pasion mendimeve!
Ergys Zhabjaku e transformon Donaldin, tani si model, në: një personazh që eksploron seksualitetin e brendshëm mashkullor; një agjent provokator që synon të ngacmojë si komunitetin straight ashtu edhe atë gay; por mbi të gjitha e shpërfaq atë si një mashkull që ka vendosur ta trajtojë veten e tij (dhe jo dikë tjetër) si objekt dhe subjekt të dashurisë së tij, dhe që ndjenjën e kënaqësisë e ka si preferencë të parë seksuale.
Një qasje e tillë është një diçka që sikur vjen direkt nga fjalori urban i artit dhe lifestyle-it bashkëkohor, ku tashmë ekziston koncepti i mashkullit metroseksual: atij që jeton në kryeqytet, që frekuenton dyqanet dhe nuk kursen që të blejë çdo gjë që i pëlqen, që paratë i ka mjet dhe jo synim, që kërkon të gjejë stilistin më të mirë të flokëve, që kujdeset për imazhin e tij si një harmoni e shpirtit dhe fizikut. Pak ka rëndësi nëse ky mashkull është straight apo gay, sepse orientimi seksual nuk duhet të jetë përcaktues i domosdoshmërisë që edhe meshkujt duhet të kujdesen për veten, po aq sa edhe femrat, madje në mos edhe më tepër.
Donald Braho pa dyshim është pionier i lëvizjes metroseksuale në Tiranë, prandaj, jo rastësisht, është preferenca e parë e shumë brendeve dhe dyqaneve të njohura në Tiranë për të promovuar furnizimet e tyre të fundit. Por kjo nuk do të ishte e mundur sikur më parë Donaldi të mos ishte një artist, që kupton fuqinë e imazhit, por edhe që e di se edhe metropoli ynë duhet të ngutet të zë hapin me botën, përndryshe rrezikon të ngelë veç një provincë e urbanizuar, e mbipopulluar me njerëz që u zihet fryma nga komplekset.
Duke njohur natyrën e tij eksploruese, jemi shumë të sigurt se nga Donaldi do të shohim edhe shumëçka tjetër, shumë më interesante dhe shumë më provokuese se projekti “Hmmm!”.
(A.R.)
© copyright: Opinion.al