Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç ka bërë thirrje për hetimin e përgjegjësisë dhe arsyes së bombardimeve të Republikës Federative të Jugosllavisë, – siç e quante Serbia veten kur ishte ende e bashkuar me Malin e Zi, – në vitin 1999, duke u nisur nga hetimi britanik mbi luftën në Irak.
“Nuk duhet të shihet vetëm Iraku. Ka ardhur koha të hetohet edhe përgjegjësia e arsyet e ndërhyrjes në vitin 1999. Kjo nuk ka lidhje me rrugën tonë në Bashkimin Europian”, citohet të ketë thënë Daçiç nga mediet serbe.
“Mendoj se ka ardhur koha për rishqyrtimin e asaj çfarë është bërë në Serbi në 1999-n, e jo vetëm në Irak, meqë politika e një vendi (Britania) ishte të investonte prej 20 vitesh në Pavarësinë e Kosovës, atëherë mendoj se duhet të kërkojmë jo vetëm gabimet në sistemin tonë”, është shprehur Daçiç në konferencën me temë “Strategjia globale e politikës së jashtme dhe sigurisë së BE-së dhe Ballkani Perëndimor”, raporton t.ch.
Siç u shpreh ai, ekziston mendimi sipas të cilit Slobodan Millosheviç ishte fajtor, por “ka edhe gjëra të tjera që paraqesin manipulimin e vrazhdë, të pavërtetën dhe gënjeshtrën”, siç ishte rasti i mësymjes së Irakut, që është vërtetuar nga komisioni i Britanisë së Madhe.