Gjergji Cukali është një nga personazhet më të njohur për Policinë e kryeqytetit. Ai njihet edhe si një nga “të fortët” e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë lokalitet, ku i dënuari e ka përqendruar aktivitetin e tij.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004.
Dënimi i dhënë ndaj Cukalit ishte dhjetë vjet burg, ndërkohë fajtorë u deklaruan edhe pesë persona të tjerë të pandehur në lidhje me ngjarjen e pengmarrjes së ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.
Kjo ishte një nga ngjarjet më të bujshme dhe më publike, për të cilat u akuzua Gjergji Cukali. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro.
Ndërkohë që ai mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, problemet e të riut me policinë nuk kanë mbaruar.
Më 20 gusht 2012, nga Komisariati i Policisë nr.2 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjergji Cukali, tani 37 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.
Arrestimi i tij është bërë asokohe pasi sipas policisë, gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë./Panorama