Deputeti i PD-së, Astrit Patozi ka qenë kritik në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, ku i diskutua mbi reformën në drejtësi, dhe përkatësisht mbi propozimin hibrid të BE-së dhe SHBA-ve.
Deri më tani, PD-ja e ka refuzuar edhe këtë propozim, duke ngulur këmbë se kërkon që ndërkombëtarët të kenë vetëm rol vëzhgues në reformën në drejtësi.
Mirëpo, ky qëndrim i PD-së, është pritur me kritika nga ana e Patozit. “Shqetësimi ynë më i madh duhet të jetë fatura e dështimit të reformës në drejtësi”, mësohet të ketë thënë Patozi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së.
“Faturën e humbjes do ta japë arbitri dhe fatkeqësisht është shumë dukshme që ne kemi një problem të fortë me të”, vijoi Patozi.
Ai më pas pyet nëse PD-ja e eviton dot këtë kosto, duke kujtuar se qëllimi kryesor i saj është që të vijë në pushtet dhe jo që të pengojë reformën.
“A e evitojmë dot ne këtë kosto? Dhe nëse jo, çfarë do të bëjmë me të. E përballojmë dot ne? A bëhet më e fortë apo më e dobët PD-ja pas kësaj? Qëllimi ynë kryesor është si të vijmë në pushtet dhe jo si ta hedhim reformën”, tha Patozi.
Ai pranoi se fatura e dështimit të reformës, deri më tani i ka mbetur në dorë PD-së. “Deri tani ka mbetur neve në dorë fatura. Duhet të kishim qenë më të qartë në atë që kërkonim. Duhet ta kishim thënë përpara se po aq e rëndësishme sa kapja e drejtësisë nga qeveria ishte edhe përfshirja e ndërkombëtarëve në procesin e “Vetingut”. Kur e themi tani, s’jemi më të besueshëm”, përfundoi fjalën Patozi.
Pas fjalës së tij dhe kritikave të Bregut, ish-kryeministri Berisha u largua nga mbledhja, i cili është edhe mbështetësi kryesor i mospranimit të propozimit të BE-së dhe SHBA-ve./Panorama