20 vjeçari, Andrea Memollari është personi që i mori jetën nënës së dy fëmijëve në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë.
Memollari, ka lindur në mars të vitit 1996 në qytetin e Çorovodës dhe banues në Lushnje.
Mësohet se është pajisur me lejen e drejtimit në vitin 2014.
Kohë më parë, 20 vjeçari është dënuar me 40 orë punë të detyrueshme, pasi tentoi të korruptojë një punonjës të Policisë Rrugore.
Ai u kap duke ecur me shpejtësi të madhe, si dhe nuk iu bind urdhërit të punonjësit të policisë.
Pasi u ndoq dhe u ndalua nga policia, Memollari u përpjek të korruptojë oficerin duke i ofruar 500 lekë.
“Merre, pini një kafe dhe mos më vononi se kam një takim”
Kjo ishte fjalia e parë e nxjerrë nga goja e një drejtuesi mjeti që me shumë gjasa, herët apo vonë, do të bënte gjëmën.
Andrea Memollari përdorues i lëndëve narkotike
Andrea Memollari, vihet re nga një foto e publikuar në profilin personal në Instagram teksa konsumon lëndë narkotike, të tipit kokainë. Memollari, gjithashtu shfaqet edhe si një admirues i madh jo vetëm i shpejtësisë së madhe, por edhe makinave luksoze me fuqi motorike tepër të lartë.
Memollari kishte pasion shpejtësinë
Nga video e mëposhtme do vini re se Andrea Memollari kishte një pasion të madh për shpejtësinë, e cila do apo s’do, do të pillte tragjedinë. 20 vjeçari u arrestua sot nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka aksidentuar për vdekje, Dhurata Priftin, nënë e dy fëmijëve në Tiranë. Aksidenti i frikshëm, i filmuar edhe nga kamerat e sigurisë, i ka marrë jetën 37 vjeçares afër Arkivës së Shtetit, viktima ishte bashkë me dy fëmijët e saj. Mësohet, se Memollari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por ai është arrestuar pak orë më pas.
Semafori nuk punonte
Më shumë se dy javë, semafori në kryqëzimin ku ndodhi aksidenti, që i mori jetën një gruaje 37 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, nuk funksionon. Mësohet se nga mëngjesi deri në mbrëmje, ai pulson me ngjyrën portokalli dhe vetëm në orët e vona punon ashtu siç duhet. Gjithashtu, në pjesën më të madhe të kohës, aty nuk është vënë re asnjë polic rrugor. Kjo gjë ka risjellë jo vetëm vështirësi të mëdha në qarkullimin e makinave, por siç duket është shndërruar edhe në një burim shumë serioz të aksidenteve.