Partia Demokratike ka bërë një propozim të ri lidhur me reformën në drejtësi. Një draft i siguruar nga gazetarët po qarkullon nëpër portale ndërsa PD ende nuk ka publikuar asgjë zyrtarisht. Të kontaktuar nga Opinion.al burime nga PD thanë se “në mbledhjen e grupit që mbahet në orën 12:00 do të flasë lideri Lulzim Basha lidhur me qendrimin e PD dhe draftin mbi të cilin po negociohet me ndërkombëtarët”.
Gjithsesi referuar draftit që po qarkullon në media, shihet qartë se PD ka kërkuar përjashtimin e ndërkombëtarëve nga vetingu i institucioneve të drejtësisë.
Opozita kërkon që ndërkombëtarët të kenë rol vëzhgues. Ndërsa në propozimin amerikan, ndërkombëtarët kishin fuqi vendimarrëse për procesin e verifikimit të pastërtisë së figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Propozimet e PD për vetingun (jo zyrtare)
1. Avokati i Popullit bën shpalljen për aplikim.
2. Avokati çon listën e plotë në Kuvend, pa përjashtuar asnjë kandidat.
3. Lista i dërgohet Kuvendit bashkë me dokumentacionin zyrtar. Procesi zhvillohet me monitorim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
4. Kuvendi krijon 2 komisione “ad hoc”. Njëri me 12 anëtarë, tjetri me 6 anëtarë. Në çdo rast me përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë.
5. Komisioni me 6 anëtarë shqyrton kandidatët dhe verifikon përmbushjen e kritereve. Ky komision merr vendim për përjashtimin e një kandidati (akt administrativ) bazuar vetëm në prova.
6. Pas seleksionimit dalin 3 lista:
(a) lista me kandidatët për komisionerë
b) lista me kandidatët për komisionerë publikë
c) lista me kandidatët për gjyqtarë
Vëzhguesit nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Kjo trupë ka të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni.
Pas përfundimit të shqyrtimit të kandidatëve nga komisioni “ad hoc”, ONM ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë, sipas kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe dokumentave dhe provave të administruara nga komisioni”, raporton TCH që publikoi propozimet e PD-së.
7. Kandidatët e përjashtuar kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese.
8. Komisioni ad hoc me 12 anëtarë zgjedh 12 komisionerët e Komisionit të Kualifikimit. Propozimi parashikon që “zgjedhja bëhet pa debat përmes një votimi të fshehtë elektronik, ku secili anëtar i komisionit voton për 1 kandidat. Procesi mundëson që zgjedhjet të jenë sekrete duke shmangur kështu etiketimin politik të kandidatëve”.
9. I njëjti komision “ad hoc” nga parlamenti me 12 anëtarë zgjedh edhe 2 Komisionerët Publikë (përsëri pa debat dhe përmes një votimi të fshehtë elektronik).
a)kandidatët që marrin më shumë vota do të quhen fitues.
b) nqs 2 ose më shumë kandidatë marrin një numër të barabartë votash, fituesi zgjidhet me short midis tyre.
Propozimi i PD-së përfshin një mënyrë të ngjashme edhe zgjedhjen e gjyqtarëve që do të vendosin për ankimimet e kandidatëve të përjashtuar nga procesi i vettingut.
10. Kuvendi mund të pranojë ose rrëzojë listën e kandidatëve në bllok me një shumicë të cilësuar (2/3).
PD thotë se kështu “Kuvendi nuk e ka të mundur të pranojë ose rrëzojë vetëm një pjesë të listës.